Vlora është një nga qarqet më të prekura nga përmbytjet e një dite më parë, si pasojë e motit të keq.

Në rrugë vijon të ketë prezencë të lartë të ujit, i cili ka depërtuar edhe në katet e para ose në garazhe, duke përmbytur edhe automjetet që ishin të parkuara.

Shumë banesa të kateve të para vijon të jenë të mbushura me ujë dhe dëmet janë të mëdha.

Gazetari i News24, Enrik Mehmeti, sjell pamjet e asaj që ka ndodhur në një prej zonave kryesore dhe qendrore të Vlorës.

Një prej banorëve të zonës thotë se dëmet janë të mëdha. Ai shprehet se kjo është hera e dytë, pas asaj të vitit 2015 kur kjo zonë përmbytet.

“Kjo ishte përmbytje më e madhe se ajo e 2015, uji ka ardhur në mënyrë të menjëhershme”, shprehet banori, banesa e të cilit është përmbytur.

Niveli i ujit arriti në 30 cm, ndërkohë që banori thotë se janë përpjekur të largojnë ujin me kova.

Një tjetër banor shprehet se në banesën e tij niveli i ujit arriti në 70 cm.

Një ditë më parë Vlora regjistroi 180 mm reshje shiu, që zgjatën për më shumë se 3 orë, duke shkaktuar përmbytje.

(BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb