Feronikeli e mbylli me një barazim ndeshjen e parë në turin e parë të Champions League, në transfertë përballë ekipit The New Saints.

Kampionia e Kosovës, barazoi me shifrat 2-2, ku gjithçka erdhi në minutat e fundit të takimit, dhe tashmë ka shpresë për të ëndërruar kualifikimin në turin e dytë

Pjesa e parë e takimit në Uells, u mbyll pa gola, por që në fillimin e pjesës së dytë, ishte Draper që shënoi për vendasit, teksa gjeti golin nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 77-të, ishte Eduards që dyfishoi shifrat, ku në zhvillimet e një goditje këndi, përfitoi nga një dalje jo e mirë e portierit të Feronikelit.

Gjithsesi, çmenduria ndodhi në minutat e fundit. Në të 89-tën, ishte Zeka, i cili pas një harkimi nga Fazliu, u fut bukur me kokë, dhe ngushtoi shifrat.

Teksa gjithçka u duk se do përfundonte me shifrat 2-1, Feronikeli fitoi një penallti, dhe e shndërroi në gol ish-lojtari i Partizanit, Astrit Fazliu. Tashmë, ekipi i trajnerit Ramadani gjendet shumë pranë kualifikimit, që do vendoset në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

 

FT | TNS-Feronikeli 2-2

GOL: Draper pen. 49′, Eduards 77′ / Zeka 89′, Fazliu pen. 93′

Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb