Barazim pa gola mes Teutës dhe Bylisit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 19-të të kampionatit shqiptar.
Ballshiotët provuan në minutën e 24-të, me anë të Kamar, por goditja e tij u ndal nga portieri Tafas.
Në minutën e 35-të, protagonist u shndërrua portieri Hasanbelli, i cili u thirr në detyrë, teksa i mohoi golin durrsakëve. Gjuajtja me kokë e Boccit u prit nga “gardiani”, me pjesën e parë që përfundoi me rrjeta të paprekura.
Në minutën e 61-të, drithërima te porta e Bylis, me Markun që për pak sa nuk shkakton autogol. Ritmi ishte i kënaqshëm deri në fundin e takimit, të besuarit e Edi Martinit dhe skuadra e Nevil Dedes tentuan deri në vërshëllimen e arbitrit për të gjetur golin e fitores.
Me këtë rezultat, Teuta është në vendin e gjashtë me 23 pikë ndërsa Bylis në vendin e parafundit me 18 pikë. Elita shqiptare, do të rikthehet sërish në fushë, vitin e ardhshëm.
(J.S/BalkanWeb)