Parashikimet përpara nisjes së sezonit e kuotonin si skuadrën që do t’i hapte punë pretendentëve të përhershëm të kampionatit spanjoll. Sevilla po i shpërblen këto pritshmëri dhe pas javës së katërt në La Liga kryeson e vetme renditje, duke parë nga lart favoritët e Barcelonës, Real Madrid dhe Atletico.

Skuadra e drejtuar nga Julen Lopetegui ruajti serinë pozitive edhe në transfertën kundër Alaves, duke e kaluar atë me rezultatin 1-0. Jordan shënoi golin e vetëm për andaluzët, që ecin me ritëm kampionësh. Gjithsesi është vetëm fillimi i një kampionati të gjatë, ndërsa favoritët e vërtetë treguan në fundjavë se nuk kanë ndërmend të dorëzohen.

La Liga
La Liga

Mbi të gjithë Barcelona, që u kthye te suksesi me një fitore bindëse 5-2 kundër Valencias. Katalunjasit duhet të jenë penduar që shpenzuan shumë energji për rikthimin e Neymar, pasi një talent puro e kanë në skuadër dhe ai është Ansu Fati. Vetëm 16-vjeç sulmuesi ka treguar të gjithë talentin, duke fituar edhe një vend në formacion.

Mungoi sërish Messi, por u rikthye Suarez. Uruguajani shënoi dy gola për të konfirmuar veten si i domosdoshëm për kampionët në fuqi të Spanjës. Pas dy barazimeve radhazi, ka festuar edhe Real Madrid që me vështirësi mundi 3-2 Levante. Në një moment të vështirë për “los blancos” dhe Zinedine Zidane ka menduar Karim Benzema për të qetësuar sadopak situatën.

Sulmuesi francez ishte deçiziv me dy golat e tij, por deri te festa madrilenët vuajtën dhe rrezikuan seriozisht t;iu ikte fitorja nga duart. Zhgënjimi më i madh në javën e katërt e La Liga erdhi nga Atletico Madrid.

Skuadra e Diego Simeones regjistroi humbjen e parë sezonale, duke u dorëzuar 2-0 në transfertën baske kundër Real Sociedad.
(balklanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb