DURRËS

Njerëz të shumtë, familjarë e miq vazhdojnë t’i qëndrojnë pa ndërprerje afër prokurorit Arjan Ndoj, i cili mbeti i plagosur dje nga persona ende të paidentifikuar që sulmuan makinën e tij me armë në autostradën Durrës-Tiranë pranë mbikalimit të Sukthit.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj që ka ndjekur ngjarjen hap pas hapi, raportoi për “BalkanWeb” se Ndoj i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale ditën e djeshme pas atentatit dhe qëndroi deri sot në terapi intensive ka kaluar tashmë në një prej dhomave të pavijonin e ortopedisë në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Sipas mjekëve ai është plagosur nga dy plumba që e kanë prekur shkarazi. Gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut dhe e stabilizuar. Më rëndë, me një operacion shumë të vështirë është miku i tij Aleksandër Laho i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje shumë të vështirë në nofull. Një plumb i ka prekur nofullën dhe e ka të pamundur të flasë për momentin.

Durres Policia Brenda Ne Pavion
Durres Policia Brenda Ne Pavion

Të dy të plagosurit janë marrë në mbrojtje nga policia. Ai u vizitua edhe nga kolegë të policisë dhe prokurorisë që u interesuan për gjendjen e tij shëndetësore.
Pranë tij gjenden familjarë por edhe miq e të njohur. Ndërkohë në derën e dhomës janë të vendosur dy efektivë policie që qëndrojnë gjatë gjithë kohës në ruajtje të tij.
Policia tashmë ka marrë dëshminë e prokurorit Ndoj, i cili ka deklaruar se nuk ka qenë ai shënjestra e atentatit me armë.

“Mua mund të më qëllonin edhe para shtëpisë. Nuk kam konflikte. Unë drekova dhe në restorant takova mikun tim. E ftova në tavolinë Aleksandër Lahon dhe pasi hëngrëm drekën, u nisëm drejt Tiranës”, ka thënë Prokurori Ndoj.

Ai ndodhej në vendin e parë të pasagjeri, ndërsa makina drejtohej nga shoferi i tij Andi Maloku, i cili është në gjendje të rëndë për jetën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb