Recetë nga znj Katerina
Përbërësit
Për petët:
500 gr miell
250-300 ml ujë të gazuar
1 lugë vaj ulliri
1 lugë kripë
Niseshte për hapjen e petëve
Vaj dhe gjalpë për spërkatjen e petëve

Për mbushjen:
1 kg qepë të thata
400 gr konservë domate në kubikë
500 gr domate të freskëta
1 lç sheqer
1 lç kripë dhe piper
5-6 lugë vaj
1 lugë supe oriz
1 spec djegës

Sitim miellin, e përziejmë me kripën dhe më pas shtojmë 1 lugë vaj dhe ujin e gazuar. E trazojmë mirë brumin derisa të fitojë elasticitet. Spërkasim një tavë me niseshte dhe ndajmë brumin në 12 toptha sa një kokërr mandarine. I vendosim topthat në tavë, i mbulojmë me një pecetë dhe e lemë brumin të vijë në ambjent të ngrohtë për 15-20 minuta.

Ndërkohë përgatisim mbushjen. Grijmë qepët në gjysëm rrathë dhe i vendosim në një tigan të thellë ose tenxhere me fund të gjerë. Shtojmë pak vaj misri ose luledielli, kripë dhe piper dhe i kaurdisim qepët duke i trazuar herë pas here. Vendosim më pas kapakun duke shtuar dhe pak vaj ulliri dhe i lemë qepët të zbuten mirë. Pasi qepët të jenë zbutur dhe kaurdisur mirë shtojmë domatet të prera në kubikë (pa lëkurë) dhe konservën e domates. Rregullojmë shijen me kripë, piper, pak sheqer dhe një spec djegës. Hedhim rreth 1 gotë ujë të ngrohtë dhe e lemë salcën të lidhet. Nga fundi shtojmë dhe pak oriz dhe e lemë mbushjen të ftohet plotësisht.

Spërkasim tryezën e punës me pak niseshte dhe hapim topthat në disqe të vegjël duke i vendosur 3 e nga 3 dhe duke i spërkatur me pak vaj dhe gjalpë të tretur.

Hapim petët dhe fillojmë shtrimin e byrekut. Lyejmë tavën me gjalpë dhe shtrojmë dy petë (të hapura 3 e nga 3), vendosim një pjesë të mbushjes me qepë dhe domate. Vendosim përsëri petë dhe mbushje. Presim anësoret e petëve që kanë dalë nga tava dhe pjesët e mbetura i vendosim mbi mbushje. E mbulojmë në fund mbushjen me 2 petë të spërkatura me gjalpë dhe vaj. E ndajmë byrekun në racione dhe e vendosim të piqet në furrë në temperaturën 180 gradë për 45-55 minuta.

Shënim: Petët e brendshme që vendosim mbushjen është mirë t’i kemi hapur më parë që të thahen pak në mënyrë që gjella dhe petet të mos bëhen si qull.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb