Champions League dukej një vitrinë e madhe për Inter pas “X” kundër Slavia Prague dhe pas humbjes me përmbysje përballë Barcelonës. Zikaltërit zgjohen pikërisht në momentin e duhur, thyejnë B.Dortmund dhe modifikojnë edhe një herë ekuilibrat në Grupin F. Fitorja e pastër 2-0 kundër verdhezinjve nuk e detyron Interin të udhëtoj në Dortmund pas dy javësh për të fituar me çdo kusht. Antonio Conte kishte hedhur një formacion “blind” dhe gjithçka shkoi në mënyrë perfekte duke ndëshkuar B.Dortmund në rastin e parë.

De Vrij dhuroi një asisit të magjishëm për Lautaro Martinez i cili nuk gaboi duke kaluar Interin në avantazh në minutën e 20-të. Sulmuesi argjentinas kishte mundësinë e artë për të mbyllur sfidën në minutën e 82-të por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Pak minuta më vonë, Inter goditi B.Dortmund me një kundërsulm fantastik të finalizuar nga Candreva, një fitore e pastër 2-0 që i vendos zikaltërit në vendin e 2-të në kuotën e katër pikëve, po aq sa dhe B.Dortmund.

Grupi F kryesohet nga Barcelona në kuotën e 7-të pikëve pas fitores 2-1 që katalunjasit arritën kundër Slavia Prague. Leo Messi realizoi një gol të shpejtë që në minutën e 3-të duke krijuar iluzionin e një goleadë por çekët nuk u dorëzuan në asnjë moment dhe u rikthyen në lojë në minutën e 50-të me Boril që barazoi përkohësisht shifrat në 1-1. Pas veshi stofin e heroit për ekipin e tij në transfertën përballë Interit, Olayinka ishte i pafat kundër Barçës teksa në minutën e 57-të devijoi topin në portën e tij duke i dhuruar Leo Messit me shokë një 3-pikësh në xhiron e tretë në fazën e grupeve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb