Prestige dhuron spektakël në sfidën e fundit në fazën e grupeve duke siguruar kualifikimin me një “poker” golash. 3 ndeshje, 2 fitore, 1 humbje, 8 gola të shënuar 2 të pësuar, janë këto shifrat e Prestige në Grupin B në UEFA Champions League. Kampionët e Shqipërisë në minifutboll zhvilluan një sfidë të fundit fantastike ku kërkohej me çdo kusht fitorja përballë ekipit boshnjak për tu kualifikuar si kokë grupi. Në pjesën e parë dy ekipet luftuan në çdo centimetër të fushës, shumë pak raste për shënim, ku më shumë ishin të kujdesshëm për të mos pësuar.


Me fillimin e fraksionit të dytë, një gabim i portierit boshnjak solli golin e avantazhit për Prestige me Albi Dajtin që dërgoi topin në rrjetë. Pak minuta më vonë, Shima me një goditje potente nga distanca gjeti devijimin duke dërguar shifrat në 2-0. Prestige administroi mirë minutat e mbetura duke detyruar Eco Vitez të gaboi sërish, Dajti përfitoi në maksimum duke shënuar golin e 3-të për Prestige dhe të dytin personal. Pavarësisht se vijon të ketë ende shqetësime në gju, kapiteni dhe lideri i Prestige, Fatmir Hysenbelliu u hodh në fushë në minutat e fundit, në topin e parë që preku Hysenbelliu dhuroi një asist perfekt për Hyskon që shënoi dhe golin e katërt për Prestige duke i bërë një mbyllje fantastike fazës së grupeve në UEFA Champions League.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb