TIRANE- E falshme ose jo, tradhtia krijon një hendek të thellë mes çdo çifti, është burimi i konflikteve, i divorceve, i vuajtjeve dhe në një tradhti bashkëshortore kur vjen në jetë edhe një fëmijë, viktima bëhet ai, më i pafajshmi.

E rëndë dhe shumë prekëse është historia e një vajze nga Jugu i Shqipërisë, e cila ishte sot pjesë e emisionit “Studio e Hapur” në News 24, për të rrëfyer atë ç’ka ajo ka përjetuar në jetën e saj, dhe mbi të gjitha për të kërkuar ndihmë.

29 vjeçarja para disa vitesh dashurohet me një burrë në moshë, i martuar dhe me tre fëmijë, këngëtar i muzikës popullore. E ndërgjegjshme për gabimin që po bënte, por marrëdhëniet vazhdoi t’i kishte të rregullta me personin në fjalë, i cili e bëri dhe pjesë të familjes së tij, duke e prezantuar tek bashkëshortja si miken më të mirë.

Para tre vitesh vajza mbetet shtatzënë me të dhe ka sjellë në jetë një vajzë, e cila aktualisht është tre vjeç.

Babai i tre fëmijëve, fillimisht fëmijën e katërt që solli në jetë jashtë martese, e donte, paguante ushqimet dhe kujdesej për të. Vajza e vogël po rritej dhe kur nisi të hidhte hapat e parë, babai e merrte dhe në banesën e tij ku fëmijët e tjerë i dhuronin dashuri vogëlushes, pasi nuk e dinin që ishte motra e tyre, por thjesht vajza e mikeshës së babit.

Sekreti nuk mund të mbahej më gjatë. Para një viti e gjysëm gjithçka u zbulua. Bashkëshortja zbulon tradhtinë dhe i kërkon të dashurës së burrit që fëmijën ta braktisë në një shtëpi jetimore dhe historia të merrte fund njëherë e përgjithmonë.

Nisin konfliktet, ushtrimi i dhunës psikologjike tek vajza me foshnjën e vogël dhe në fund ajo braktiset nga babai i vajzës së saj, i cili ishte garantuesi i ushqimit dhe mirëmbajtjes se tyre.
Ka një vit e gjysëm që zotëria ka mohuar atësinë dhe është zhdukur nga jeta e kësaj vajze, e cila tashmë ka ngelur në mes të katër rrugëve. 29 vjeçarja me origjinë nga jugu i Shqipërisë është rritur jetime, ndërsa vëllai e motra e kanë braktisur për atë histori dashurie që ajo krijoi. Ata e dënuan për faktin që u lidh me një burrë të martuar, i cili tashmë vazhdon jetën e tij me tre fëmijët dhe gruan.
Ndërsa viktima në të gjithë këtë histori është një vogëlushe tre vjeçare, që nëna e ushqen me atë çka i falin. Sot, ajo do të pranojë gabimin që bëri, por nuk pranon që gabimet e saj t’i vuajë e bija, të cilën nuk do ta braktisi për asnjë arsye në këtë botë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb