TIRANE- Një ngjarje aspak e këndshme ka ndodhur në derbin Tirana-Partizani, pasi në minutën e 62-të të përballjes kanë ikur dritat në stadiumin “Selman Stërmasi”. I gjendur përballë kësaj situate, arbitri ka ndërprerë ndeshjen.

Mësohet se futbollistët i janë drejtuar dhomave të zhveshjes, në pritje të kthimit të energjisë elektrike. Por, megjithëse dritat erdhën pas 25 minutash vetëm për pak sekonda, ato ikën sërish.

Në një kohë kur e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek ndeshja, tifozët ngelën në terr në stolat e stadiumit duke bërë dritë me mjete rrethanore, ndërsa organizatorët i kanë bërë thirrje që të rrinë të qetë.

Bëhet e ditur se një defekt solli ndërprerjen e energjisë elektrike në disa zona të Tiranës. Megjithatë në Tiranën e Re vetëm stadiumi ishte pa drita kurse pjesa përreth, pallatet dhe banesat kanë energji elektrike.

Punonjësit e OSHEE dolën në terren, energjia u rikthye pak minuta më vonë. Pas rreth 30 minutash zyrtarët e takimit të dërguar nga FSHF-ja kanë vendosur që pjesa e mbetur e ndeshjes të luhet nesër.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb