Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër. Makina e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër Andri Ymeri është djegur nga dy persona të paidentifikuar.
Ka qenë ora 23:48 e mbrëmjes së kaluar kur papritur dy persona me skafandër në kokë dhe me një motor janë afruar tek mjeti tip “Benz” i gjyqtarit Andri Ymeri duke e lyer me lëndë djegëse benzinë dhe duke i vënë flakën makinës që ndodhej e parkuar afër kishës françeskane në Shkodër.
Menjëherë flaka është përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar mjetin tip “Benz” të gjyqtarit Ymeri. Dy autorët pasi sigurohen në pak sekonda se mjeti mori flakë dhe po digjej janë larguar me shpejtësi në drejtim të Gjuhadolit andej edhe nga kanë ardhur. Autorët në videon e siguruar nga policia shihen duke u afruar dhe duke e lyer mjetin me benzinë e më pas duke i vënë flakën.
Duhen vetëm pak sekonda që ajo makinë të digjet. Menjëherë pas zjarrit të përhapur me shpejtësi janë lajmëruar efektivët zjarrfikës të cilët kanë mbërritur në vendngjarje duke tentuar të shuajnë flakët.
Nga zjarri në mjetin e gjyqtarit është kapur nga flakët edhe një makinë tjetër që ndodhej ngjitur me të. Të dy mjetet janë shkrumbuar plotësisht në të gjitha pjesët. Efektivët e zjarrfikësve kanë shuar flakët aq sa kanë mundur tek dy makinat e djegura. Pas verifikimit nga policia se djegia është e qëllimshme nga dy persona të paidentifikuar dhe se mjeti është i gjyqtarit Andri Ymeri në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie por edhe vetë gjyqtari Andri Ymeri.
Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të ndodhur për të identifikuar autorët e më pas për të bërë të mundur kapjen e tyre. Deri më tani efektivët nuk kanë arritur që të bien në gjurmët e autorëve të cilët janë larguar me shpejtësi por edhe është e vështirë për t’i identifikuar për shkak të skafandrës që kanë në kokë dhe veshjes me rroba të zeza. Forcat e policisë dyshojnë se kjo ngjarje lidhet me punën e gjyqtarit dhe ka dyshime se është një mesazh në adresë të tij.
Vetë gjyqtari Ymeri ka mohuar që të ketë ndonjë konflikt me ndokënd dhe ka deklaruar se nuk e ka idenë përse makina e tij është djegur. Mjeti tip “Benz” kishte disa ditë i parkuar afër kishës françeskane në Shkodër dhe dyshohet se autorët mund të kenë vëzhguar gjatë këtyre ditëve derisa kanë arritur ta djegin mjetin në fjalë. E gjithë skena e djegies është në vetëm pak sekonda dhe dy autorët e paidentifikuar zhduken menjëherë.
(BalkanWeb)