Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua “Sofra Gjormjote”, ritualet dhe zakonet e saj…

Teksti është ndërtuar mbi librin “Për Gjormin flet Historia” të autorit Kastriot Kapaj…

Dollia është një traditë e vjetër, ndoshta që në mesjetë, e trashëguar brez pas brezi. Gojëdhënat flasin për këtë traditë bashkë me lindjen e rakisë. Ajo përbën kodin më të rëndësishëm të një gostie të gëzueshme, ishte një institucion me rregulla fiksë që askush nuk mund t’i shkelte. Dollia është e njohur, e dëgjuar dhe e vlerësuar si një nga kulmet e shprehjes së shpirtit njerëzor, më shumë në krahinat jugore të Shqipërisë si Skrapari, Përmeti, Gramshi, Berati e Krahinën e Labërisë, me rregulla të qarta. Përmes mençurisë, janë ushqyer brezat me mikpritje e bujari jo vetëm në gosti, fejesa, dasma, festa, por me përkujdesjen për këdo, qoftë edhe rrugëtari i panjohur, që e zinte nata, të pritej e përcillej me bujari, dashuri e respekt, siç e kërkonte zakoni. Ai që thërriste: “A do miq o i zoti i shtëpisë?” edhe netëve të vona, do të merrte përgjigje me dashamirësi: “Mirë se erdhët!” Për t’i nderuar me bujtjen, në konakun e tyre, shoqërohej me dolli.

Së bashku kujtojnë, respektojnë, këndojnë, urojnë e muhabetosen. Të pranishmit, burrat e ftuar apo të ardhur si miq, janë të detyruar të ndjekin e të respektojnë rregullat e saj dhe kjo i bën ata ta kenë mendjen te rregullat e saj. Se ajo është si valle. Kush hyn në të, nuk del kollaj. Dollia dhe rakia nuk mund të ndahen, po the dolli ke thën edhe raki. Rregullat e dollisë kur je i ulur në sofër janë si ligjet e kushtetutës. Caktohet dollibashi që, si zakon është, një nga miqtë kryesorë, i cili caktohet nga i zoti i shtëpisë. Dollibashi është i plotëfuqishëm në sofër dhe ky i drejtohet personit që ai mendon duke i thënë: “Të kam gjetur, mirësia e parë e të zotit të shtëpisë.” Të gjithë janë të detyruar ta pinë me fund, ndryshe ai që nuk e pi largohet nga sofra. Pasi është pirë mirësia, personi i parë që iu drejtua dollibashi kthehet dhe i thotë dollibashit: “Urdhër dollibash,” ku me këtë nënkuptonte vazhdimin e dollisë. Atë emër që i thotë dollibashi është i detyruar t’i përgjigjet personit që ka gotën në dorë.

Dollibashi: I afërm i familjes, ulur në trapezë, nis dollinë.

Sipas orës së mbylljes, marrësi i dollisë fillestare llogarit sa dollibash do të bëhen, përcakton radhën, që në mbyllje të jetë kryemiku. Nëse një dolli zgjat 30 minuta dhe do të zgjasë 3 orë, atëherë duhen 6 dollibash.

E projekton rrugën dollibashi i parë, pastaj në atë rrugë, sipas radhës, dollibashët “gradonin” njeri-tjetrin.

Dollibashi mund ta shpejtojë duke u pirë në të njëjtën kohë në të dy trapezat, duke lënë një ndjekës tek trapeza tjetër dhe në të tijën është vetë, dhe në fund njoftohet se u mbyll. Atëherë dollibashi falënderon, kërkon ndjesë se i mundoi dhe ia dorëzon pasardhësit.

Rregullat në trapezë…

Ndiqeshin rregullat e rakisë: pirje dolli dhe mirësia. Pas çdo dollie do të kishte mirësia dhe këngë, një herë njëra trapezë dhe një herë tjetra. Ose këndonin trapezat veç e veç, dhe merrte njera rreshtin e parë dhe sa mbaronte këndimi, e përsëriste dikush nga trapeza tjetër. Pasi dollibashi i fundit, miku kryesor, e mbyll, shtrohej buka, pastaj këndohej grupe-grupe të përziera trapezat dhe para largimit apo mbylljes së fundit ngriheshin në vallen e burrave.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb