Në pritje të sfidave në play-off dhe më pas atyre në grupe, Champions League dhuron jo një por tre supriza të mëdha në raundin e fundit eliminator. Porto, Celtic dhe Basel kanë hedhur poshtë parashikimet dhe dalin shumë shpejt jashtë turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube. Skuadra portugeze ishte zhgënjimi më i madh, teksa pasi kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë, u mund në shtëpinë e saj 3-2 nga Krasnodar. Një përmbysje historike për formacionin rus, që tronditi vendasit me tre gola të shpejtë në pjesën e parë.

Në minutën e dytë Vilhena kaloi miqtë në epërsi, ndërsa më pas Suleymanov gjeti dy herë rrugën e rrjetës për të shndërruar në një makth të vërtetë mbrëmjen për kampionët e Europës të vitit 2004. Porto provoi të ndryshonte fatin e ndeshjes pas pushimit. Ze Luis në të 57-ën ngushtoi shifrat, ndërsa Diaz në minutën 76-të vetëm sa ndezi shpresat e vendasve, pasi deri në fund të zotët e shtëpisë nuk arritën të evitonin eliminimin zhgënjyes nga Champions.

Të njëtin fat kishte edhe Celtic. Gjigandët e futbollit skocez kishin barazuar 1-1 në sfidën e vajtjes në fushën e CFR Cluj, por në fushën e tyre u dorëzuan në humbjen e çmendur 4-3. Meritë e rumunëve që mbyllën pjesën e parë në epërsi falë golit të Deac në minutën e 27-të. Me rikthimin në fushë, Celtic ktheu përkohësisht shifrat me golat e Forrest dhe Eduard. Omrani barazoi rezultatin me goditjen e saktë nga pika e penalltisë, përpara se Christie të shënonte edhe golin e tretë për skocezët. Këta të fundit nuk arritën të mbyllin ndeshjen, duke I lejuar rivalëve të përmbysin edhe një herë shifrat me golin e dytë personal të Omrani dhe atë të Tucudean në minutën e shtatë shtesë.

Jashtë Champions League edhe Basel, me zvicerianët që pasi kishin humbur 2-1 ndeshjen e parë në shtëpi, u dorëzuan edhe në transfertën austriake, 3-1 përballë Lask Linz. Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, gjithçka u vendos pas pushimit me vendasit që siguruan një kualifikim historik në fazën e play-off.

Vuan shumë, por gjithsesi Ajax largoi frikën e një dështimi të madh duke mundur 3-2 PAOK të Selanikut.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb