TIRANË- Artistët vijojnë të mbrojnë Teatrin Kombëtar, ndërsa qeveria kërkon të ngrejë një godinë të re për të cilën ka prezantuar edhe një projekt. Një nga zërat më të fortë në mbrojtje të teatrit e rrjedhimisht historisë është dhe aktori i madh Bujar Asqeriu.

Në prezantimin e projektit të dytë sot, kësaj radhe nga artistët, Asqeriu ka ardhur me dy propozime, siç thotë ai për t’i ardhur në ndihmë qeverisë.

NDIQNI FJALËN E PLOTË
Ne vijmë çdo javë në këtë ritual për të shprehur vendimin, vendosmërinë, qëndresën tonë në mbrojtje të teatrit, të vlerave dhe qytetarisë. U emocionova shumë kur pashë atë arkitekturë të bukur të zotërisë, arkitektit. Dhe po thosha me vete; ja që paskemi edhe ne arkitektë të zotë, të talentuar dhe s’kam dyshuar asnjëherë.

Ajo që më bëri përshtypje ishte duke e vendosur atë godinë luksoze në mes të këtij teatri, me këtë histori që përmendëm ne. Mu kujtua finalja e filmit ‘Për Moxartin’, ku regjisori i famshëm tregonte autostradat e mëdha me makina luksoze dhe pianon e Moxartit e kishte vendosur në një qerre dhe melodia e tij këndohej kudo. Shqiptarët kanë nevojë për emocione dhe ndjenjë. Për të forcuar dashurinë dhe respektin me njëri-tjetrin. S’duam një shtet që t’u tregojë dhëmbët qytetarëve të vet, por duhet të dëgjojë plagët e tij. Prandaj sovrani voton çdo katër vjet dhe i thotë; ‘miku im merr çelësat e kësaj shtëpie. Edhe nikoqire në këtë shtëpi’. Po jo ta vjedhin këtë shtëpi kur ne të japim çelësat.

Kur e zonja e shtëpisë mund të vjedh shtëpinë e vetë nuk mund të bëjë prokopi kurrë. Kam dy propozime për t’i ardhur në ndihmë qeverisë. I pari mund të duket utopik dhe t’i bëjë shumë veta për të qeshur. Para disa vitesh qeveria nxori një ligj për amnisti për të mos dënuar ata që kanë armë që i mbanin të fshehura në shtëpi. Ai vendim pati atë efekt që pati, u dorëzuan armë e municione. Dhe unë u them shqiptarëve se nuk keni pse mbani armë në shtëpi, burracakët mbajnë armë. Hajnat mbajnë armë të fshehura.

Shqiptarët armën më të fortë kanë zemrën, armë më të fortë kanë fjalën e kam vlerësuar shumë atë amnisti. Dhe unë propozoj një amnisti për të gjithë ata që kanë vënë dorën në para publike, me tendera apo firma, të drejta ndërtimi, që i kanë fshehur dhe se di ku i kanë futur lekët: T’i dorëzojnë në thesarin e shtetit. Kështu bëjnë dy hapa të rëndësishëm.

E para; lajnë mëkatet dhe ta tregojnë njëherë veten burra, si Rilindasit e vendit që është historia më e lavdishme, si burrat e Rilindjes Kombëtare që shkrinë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, ndërsa këta shkrinë pasurinë e Shqipërisë për veten. Ndaj u bëj thirrje mos të shkojnë vet në Thesarin e Shtetit, t’i paketojnë bukur ato lekë dhe t’i çojnë atje. Mos të shkojnë vet se ndoshta kanë turp, të delegojnë një njeri. Do shihni jo një teatër por 10 teatro.

E dyta; jam i sigurt se diaspora jonë, shqiptarët që punojnë në gjithë botën po t’i bësh thirrje të japin nga 5 euro, reagojnë. Jam i bindur që s’ka shqiptar dhe biznes që mos të paguaj 5 euro. Kështu shteti shqiptar vë në dijeni dhe se si punojnë shqiptarët. Arka për të ndërtuar një teatër, jo në këtë vlerë, por do të bëhet. Ju falënderoj për përkrahjen, teatri është i Tiranës, i shqiptarëve, i qytetarëve. Ndaj ta duam se sot dhe më shumë se kurrë kemi nevojë për ndjesi dhe shpirt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb