Autoritetet maqedonase kanë liruar nga burgu ish-kryeprokuroren speciale, Katica Janeva, duke e lënë atë në arrest shtëpiak. Një ditë pas vendimit, mediet fqinje kanë publikuar pamjet, që tregojnë momentin kur Janeva lë ambientet e burgut të Shutkës, për t’iu drejtuar shtëpisë së saj.

Gjykatësit e Apelit ia pranuan ankesën dhe vendosën që ish-shefja e Porkurorisë Speciale fillimin e gjykimit për rastin “Reket” ta presë në banesën e djalit të saj në Shkup. Por, Janevës Apeli i shqiptoi në mënyrë plotësuese edhe masa të kujdesit.

I është marrë pasaporta – ndërsa nga vendi nuk guxon të dalë as me letërnjoftim. Si arsye që ankesa e Janevës të pranohet nga gjykatësit e Apelit është fakti se për gjykimin, ajo mund të sigurohet edhe nga shtëpia, ndërsa është marrë parasysh edhe gjendja e saj e përkeqësuar shëndetësore.

Nga Apeli i Shkupit për televizionin Alsat sqarojnë se Janeva nuk do të guxojë të komunikojë me të akuzuarit e tjerë në “Reket”, Boki 13 dhe Zoran Kiçeec.

Janeva, kërkoi që të braktisë Shutkën nga Gjykata e Penale, me garanci prej tri banesave me vlerë prej mbi 160 mijë euro. Por, Gjykata Themelore Shkupi 1 nuk e pranoi garancinë dhe topin e hodhi te kolegët në Gjykatën e Apelit.

Katica Janeva ishte në paraburgim prej 21 gushtit. Me urdhër të Villma Ruskoskës është arrestuar si e dyshuar në “Reket”. Kaluan thuajse tre muaj në Shutkë dhe në paraburgim e priti lajmin se është e akuzuar në “Reket”.

Sipas aktakuzës, Janeva ia ka lehtësuar pozitën biznesmenit Orce Kamçev në rastin “Perandoria” për pastrim parash. Për këtë ka marrë mobilie prej 5 mijë eurove dhe 50 mijë euro para në dorë. Gjykimi për rastin “Reket” fillon më 3 dhjetor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb