Interi ka mposhtur 2-1 Veronën me përmbysje në ndeshjen e zhvilluar pak më parë në “San Siro”, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e parë të renditjes në kuotën e 31 pikëve pas 12 javësh kampionat. Hellas i Amir Rrahmanit e Marash Kumbullës, i paaktivizuar për arsye dëmtimi, kaloi në epërsi në minutën e 19-të pas penalltisë së kthyer në gol nga Verre.

Në pjesën e dytë zikaltërit nisën rrethimin e kundërshtarit në mesfushën e tij dhe pas një presioni të gjatë arritën të barazojnë me Vesionin, që në të 65-ën nuk gabon me kokë pas asitit të Lazaros. Më pas, 7 minuta nga fundi, Barela shënon një eurogol nga jashtë zonës, duke arkivuar suksesin e 10-të të skuadrës së Kontes në kampionat.

Në ndeshjen e pasdites, Breshia e Emanuele Ndojit u mposht në shtëpi 4-0 nga Torino. Skuadra “Granata” shënoi dy herë në pjesën e parë me penalltitë e kthyera në gol nga Beloti dhe dy herë në pjesën e dytë me Berenguer, autor i një tjetër dygolëshi. Ndoj nuk u aktivizua asnjë minutë në këtë sfidë dhe e pa të gjithë ndeshjen nga stoli, ndërsa Groso debutoi në mënyrën më të keqe të mundshme në stolin e “dallëndysheve”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb