Një frymëmarrje tepër e dobët, një lëvizje e lehtë e qerpikëve e shumë rrallë një dorë e pavullnetshme që lëvizë nën çarçaf janë shenjat e pakta që mbajnë me shpresë familjen Muça e cila lutet me lot në sy që djali i saj të përmendet nga koma e thellë ku ka rënë prej më shumë se 1 muaji.



I vogli i familjes nga Tirana, që sapo ka mbushur të 14- tat, nuk përmendet që prej mbrëmjes së datës 17 korrik 2019 pasi  një automjet me shpejtësi të lartë e fluturoi në ajër teksa po voziste me biçikletë në rrugën pas Muzeut Kombëtar.


Që atëherë djali 14 vjeçar nuk reagon për asgjë ndërsa mjekët kanë konstatuar një masë gjaku të mpiksur në tru. Tek koka e Renisit i qëndrojnë ditë natë dy prindërit që kanë braktisur gjithçka për t’i qëndruar pranë djalit të vogël të shtëpisë. I bëjnë hyzmet si të ishte fëmijë i vogël, i lajnë buzët, trupin dhe I freskojnë ballin dhe këmbët por prapë se prapë Renisi nuk zgjohet.

Prej 10 ditësh fëmija i sëmurë rëndë është nxjerrë nga shërbimi i reanimacionit qendror të spitalit të traumës dhe është transferuar në një dhomë shtrimi me pacientë të tjerë në katin e tretë të spitalit, ku mungon aspirimi  ajri i kondicionuar, aparaturat e intubimit të cilat e kanë mbajtur në jetë për afër një muaj.

Pamjet amatore të filmuara me celular në dhomën e të sëmurit përforcojnë pikërisht ankesën e familjes muca që thotë se ka vënë në dijeni shefin e shërbimit dhe drejtuesit e spitalit por më kot.

Në pamje dallohet qartë se çezma nuk nxjerr dhe një ushtri bidonash plastik në lavaman, ndërsa dhoma e vogël e spitalit freskohet nga 2 ventilatorë që familja i ka sjellë nga shtëpia dhe me to mundohet të zbusë sadopak vapën mbytëse në dhomën e katit të fundit  që amplifikohet nga tarraca.

Familja Muca fajëson spitalin, për lëvizjet e përditshme që i bëjnë të sëmurit nga kati i tretë në të parin dhe anasjelltas. Nëna e Renisit thotë se sa herë djali ndihet keq dhe gati asfiksohet nga mungesa e oksigjenimit në dhomë mjekët e marrin me barrelë dhe e dërgojnë në urgjencë ku e lidhin me aparaturat e intubimit për disa orë sa gjendja normalizohet e më pas e rikthejnë në dhomë ku kalvari i vuajtjeve nis nga e para. Ky ritual sipas familjes është i përditshëm që nga momenti që 14-vjecari është nxjerrë nga shërbimi i reanimacionit.

Në një përgjigje të shkurtër elektronike pas interesimit tonë Spitali i Traumës informon se fëmija 14-vjeçar nuk është në gjendje kome, por vegjetative dhe se sipas të njëjtit burim nuk ka dhomë të veçantë për Renisin.

I njëjti burim zyrtar sqaron për News 24 se fëmija 14 vjeçar transportohet në urgjencën e spitalit sa herë ka nevojë për aparaturën intubuese pasi aty ndodhet e instaluar, si pjesë e terapisë. Po kështu sqarohet se fëmija14-vjeçar nuk e ka mbaruar terapinë mjekësore në spitalin e traumës.  Shënim: Të interesuarit që duan të ndihmojnë 14-vjeçarin të kontaktojnë në këtë numër telefoni 0684152579 ose direkt në llogarinë bankare,  e cila është në emër të nënës së tij, Bukuroshe Xhediku.

  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)