TIRANE- Drejtuesi i një furgoni që transporton nxënës shkolle është arrestuar paraditen e sotme, pasi tentoi të korruptonte punonjësin e policisë, për të shmangur gjobën.

Mësohet se policia ka ndaluar furgonin, pasi fëmijët nuk ishin të lidhur me rrip sigurimi, ndërsa shoferi Shpëtim Mema i ka ofruar 2.000 lekë punonjësit të policisë së qarkullimit rrugor, për ta falur për shkeljen e bërë.

Pas këtij veprimi, policia vuri në pranga shoferin 48-vjeçar, i cili do të përballet me drejtësinë, për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

NJOFTIMI I POLICISE:
Goditet një rast i “mitdhënies”.
I ofron ryshfet punonjësit të policisë rrugore për të shmangur masën administrative për shkeljen e bërë, por arrestohet në flagrancë për “mitdhënie”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasin:
– Shpëtim Mema, 48 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në rrugën e “Elbasanit”, duke udhëtuar me mjetin tip “Mercedes Benz”, me targë AB 709 T, i ka ofruar 2.000 lekë punonjësit të policisë së qarkullimit rrugor për ta falur për shkeljen e bërë, për drejtim mjeti me pasagjerë nën moshë, nxënës të një shkolle 9 vjeçare,të pa siguruar me rrip sigurimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 244 të Kodit Penal.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb