TIRANË- Flamuri i Greqisë që u ngrit mbi kalanë e Himarës, pikërisht në pjesën e dukshme të saj për vizitorët e turistët është hequr. Një grupim i quajtur “Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar”, përmes rrjeteve sociale njoftoi se ka marrë përsipër heqjen e flamurit grek, një ditë pasi lajmi për vendosjen e tij u publikua në BalkanWeb, bashkë me fotot që tregonin qartë flamurin bardh e blu që valëvitej mbi kalanë e vjetër himarjote.
Në viden e siguruar nga BalkanWeb, disa të rinj, kacavirren në murin e kalasë dhe arrijnë të ngjiten deri në vendin ku është flamuri helen, duke e hequr që aty.
“Së bashku me shumë anëtarë të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, nga gjitha trojet shqiptare kemi rrugëtuar për në Himarë që ta heqim flamurin shovinist grek nga Kalaja e vjetër e Himarës”, deklaroi Tahir Veliu, kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar.
Flamuri u ngrit një ditë pas deklaratave provokuese të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos. I pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka paralajmëruar Tiranën se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”. Duke u ndaluar në dekaratat e fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat u pasuan me retorika të nxehta mes palëve, ministri grek i Mbrojtjes deklaroi se për Athinën sajesa antihistorike janë të papranueshme duke iu referuar veçanërisht çështjes çame.
Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar është themeluar më 16 korrik të vitit 2016 si një lëvizje kombëtare që synon bashkimin fizik të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar, me kufijtë e saj natyror dhe legjitim sipas aktit juridik të 28 nëntorit 1912.