Bundesliga gjermane ka dhuruar emocione të mëdha në javën e 10-të të saj, ku janë regjistruar rezultate të pabesueshme, siç ishte humbja e thëllë e Bajernit kampion, që në fushën e Ajntrahtit të Frankfurtit është shpartalluar me rezultatin 5-1.

Dalja me karton të kuq e Zherom Boateng në minutën e 9-të ka kushtëzuar paraqitjen e kampionëve, të cilët kanë pësuar dy gola në pjesën e parë përpara se Levandosvki të ndizte shpesat e një reagimi, që nuk erdhi kurrë. Kjo sepse në pjesën e dytë Frankfurti do shënojë dhe 3 herë të tjera, duke çuar në rrjetë praktikisht gjysmën e formacionit të tij, e golat e regjistruar nga Kostiç 25′, Sou 33′, Abraham 49′, Hintereger 61′ dhe Pacienca 85′.

Nga humbja e Bajernit kanë përfituar dy Borusiat, ajo e Mynshengldabahut, që falë fitores 2-1 në “Bay Arena” të Leverkusenit, është ngjitur në kuotën e 22 pikëve, tre më shumë sesa Dortmundi, që me tre golat e shënuar në pjesën e dytë, ka mposhtur 3-0 Volfsburgun dhe ngjitet në vendin e dytë.

Rezultat i çmendur në takimin Razenballsport Lajpcig-Mainc, me vendësit që kanë fituar me rezultatin 8-0, ku Timo Verner ishte autor i një tregolëshi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb