TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur sot për mediat pas takimit që pati me kryetarin e Këshillit Kombëtar të PD Bujar Nishani për çështjen e mandateve. Me një qëndrim të qetë, gati të shkujdesur, por të prerë dhe preciz, Basha iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me deklaratën e zëdhënëses së KE, Maja Koçijançiç. Por nuk ishte e vështirë të shquaje reagimin e veçantë të kryedemokratit kur u përmend emri i saj. Në deklaratën e Bashës nuk mungoi një mesazh për ndërkombëtarët.

Dialogu
Basha: Ditë edhe më të bukura presin shqiptarët.
Gazetari: Zoti Basha një qëndrim mbi deklaratën e zonjës Kocijancic?
Basha: Kush?
Gazetari: Djegia e mandateve ditën e djeshme…
Basha: Po…
Gazetari: Zëdhënësja e BE-së ka bërë një deklaratë se djegia e mandateve dëmton procesin e integrimit…
Basha: Ëhë…
Gazetari: Një qëndrim të PD-së për këto deklarata.
Basha: Po

Kujtojmë se zonja Koçijançiç deklaroi dje se djegia e mandateve parlamentare nga deputetët e opozitës dëmton integrimin në BE. Por Basha në kundërpërgjigje tha se integrimin e Shqipërisë në BE e pengon qeveria duke numëruar akuzat ndaj saj.

“Pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë është qeveria e lidhur me bandat. Pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë është qeveria e kapur duke vjedhur zgjedhjet siç demonstron dosja 339 dhe dosje të tjera të publikuara tashmë nga media ndërkombëtare siç është Zëri i Amerikës.
Pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është korrupsioni me afera të tmerrshme korruptive si dosja DH Albania, dhjetëra koncesione. Është kapja e shtetit nga oligarkët që arrijnë të detyrojnë parlamentin e pupacëve të krimit dhe oligarkëve të votojnë me efekt prapaveprues rimbursimin e qindra milionë eurove taksa që nuk do t’i paguajnë më oligarkët por do t’i paguajnë qytetarët nga xhepat e tyre. Integrimin europian e pengon shkatërrimi total i administratës publike, një nga prioritetet e integrimit europian ku prapë media serioze si Zëri i Amerikës kanë vërtetuar që emërimet bëhen nga paradhoma e Edi Ramës, në shkelje flagrante të ligjit. Integrimin europian e pengon kapja e gjithë pushteteve në dorën e një autokrati të korruptuar dhe të lidhur me krimin”, deklaroi kreu i PD.

Me një mesazh të qartë për ndërkombëtarët, Basha theksoi se kusho që bën sikur nuk e njeh gjendjen në vend dëmton besueshmërinë e institucionit që përfaqëson.
“Këto e pengojnë integrimin europian dhe kushdo tjetër që pretendon të kundërtën ose nuk e njeh gjendjen ose bën sikur nuk e njeh gjendjen. Në të dyja rastet dëmton thellë kredibilitetin e cilitdo institucion që përfaqëson para shqiptarëve.
Ne duam që të shpejtojmë procesin e integrimit europian të vendit dhe në Europë kur qeveria kapet duke vjedhur, në çdo vend të Europës ikën qeveria dhe fajtorët ndëshkohen para ligjit, shkojnë në burg. Këto janë normat e Europës, kjo është Europa ku duam të shkojmë. Në qoftë se dikush pretendon se në Europë shkohet me një qeveri të lidhur me bandat dhe problemi është opozita që kundërshton këtë ky është një pretendim i gënjeshtërt. Shqiptarët kanë kohë që nuk i hanë më këto gënjeshtra. Shqiptarët janë zgjuar nga gënjeshtra. Tre herë dera e Europës është mbyllur për këto arsye dhe kjo është një thirrje për realizëm, për përgjegjësi. Ne na duhet një Bashkim Evropian me besueshmëri. Besueshmëria e atyre që flasin në emër të Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për këtë proces pa kthim të mbrojtjes së demokracisë, të shtetit ligjor, të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Nuk ka lëvizje më pro Europës dhe integrimit në Europë se sa kjo që ka vendosur PD dhe opozita”, u shpreh Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb