“BalkanWeb” dhe “News 24” kanë siguruar videon e momentit të dhunimit të turistëve spanjollë nga pronari i restorantit në Porto Palermo të Himarës, Mihal Kokëdhima.

Videoja e realizuar nga pasagjerët në mjet tregon momentin e tmerrshëm, kur pronari i lokalit i hidhet me trup furgonit të turistëve në ecje, duke goditur me grushte xhamin e përparmë të mjetit për gati 3 kilometra.
Videoja e realizuar nga pasagjerët në mjet tregon momentin e tmerrshëm, kur pronari i lokalit i hidhet me trup furgonit të turistëve në ecje, duke goditur me grushte xhamin e përparmë të mjetit për gati 3 kilometra.


Mihal Kokëdhima, që është edhe kushëriri i kreut të Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima”, arrin të thyejë plotësisht xhamin e mjetit, duke gjakosur dorën e tij, ndërsa ngjarja ka krijuar panik të madh te turistët, të cilët dëgjohen duke bërtitur të tronditur.

Pjesë nga biseda që dëgjohet në video:

Mihal Kokëdhima: Mbaje, mbaje, mbaje se do hidhem unë po mbaje – o ç’vdiqa, mbaje këtu të thash se do vdes këtu

Shoferi dhe shoqeruesi në furgon: Zbrit nga makina tani, zbrit poshtë. Po na ndjekin nga mbrapa të tjerët.

Nuk do ndaloj fare, do shkoj në polici direkt. Merrni policinë, Hajdeni se na vrau, do vijë këtu policia, në Sarandë do vemi. Shkoni në polici kështu

Telefonata me policinë: Ngrini postbllok në Qeparo…erdhën me thika, kanë thyer makinën.

Si ndodhi ngjarja e rëndë:

Turistët spanjollë kishin ardhur më 15 gusht me jaht nga Saranda dhe ishin ulur të konsumonin një drekë në një restorant në Porto Palermo të Himarës. Turistët kanë hyrë në ambientet e restorantit, por nuk kanë pëlqyer shërbimin e ofruar dhe më pas janë ngritur për t’u larguar.

Ky moment ka bërë që pronarët e lokalit të ndjekin nga pas furgonin e turistëve, ndërsa kanë goditur fizikisht drejtuesin e mjetit së bashku me 5 turistët spanjollë.

Në konflikt e sipër, pronarët e lokalit kanë nxjerrë edhe armët e ftohta për të goditur turistët, si dhe kanë thyer xhamin e furgonit, i cili po i shoqëronte ato.

Brenda furgonit ndodheshin 7 persona, prej të cilëve 5 spanjollë, shoferi dhe shoqëruesi i turistëve.

Arrestimi i pronarit të lokalit:

Ndërkohë, një ditë pas ngjarjes së rëndë, ditën e djeshme, policia ka arrestuar pronarin e lokalit, 51-vjeçarin Mihal Kokëdhima, banues në Sarandë.

“Policia e Sarandës në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera në lidhje me konfliktin e djeshëm në një lokal të Himarës, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 51-vjeçarit pasi ditën e djeshme, në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, spër motive të dobëta ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë.

Më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup por më shumë është dëmtuar shtetasja spanjolle K.R.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës””, thuhej në njoftimin e policisë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb