Policia e Fushë-Krujës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Formacioni”, duke goditur një grup kriminal të dyshuar për disa vjedhje. Si rezultat i hetimeve dhe bashkëpunimit me qytetarët, janë arrestuar katër autorë, ndërsa janë shpallur në kërkim tre të tjerë, pjesëtarë të këtij grupi.

Midis të arrestuarve është edhe një person që ishte në kërkim për dy vepra të tjera penale. Hetimet kanë zbuluar identitetin e shtatë pjesëtarëve të grupit, të cilët dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve në Fushë Krujë.

Shtetasit e arrestuar janë: A. B., 24 vjeç, i cili është gjithashtu në kërkim për “Shkatërrimi i pronës” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”; G. L., 33 vjeç; dhe K. B., 29 vjeç, të gjithë banues në Kamzë. Shtetasi K. B. u kap në flagrancë teksa drejtonte një automjet të marrë me qira, i cili ishte përdorur për të kryer vjedhjet dhe për t’u larguar nga vendngjarjet. Automjeti u sekuestrua si provë materiale.

Të shpallur në kërkim janë shtetasit G. V., 22 vjeç; L. K., 33 vjeç; dhe F. B. (D.), 33 vjeç, gjithashtu banues në Kamzë. Një tjetër anëtar i grupit, A. R., ishte arrestuar më herët nga Policia për vjedhje.

Sipas hetimeve, dyshohet se grupi ka kryer vjedhje të shumta, përfshirë:

-Më datë 27 mars 2025, kanë vjedhur 16,000 lekë në një subjekt për transferta parash;

-Më datë 28 mars 2025, gjashtë prej tyre kanë vjedhur 21 celularë në një dyqan.

Policia vijon punën për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po kryhen hetime për dokumentimin e provave ligjore lidhur me vjedhjet e tjera që mund të jenë kryer nga ky grup.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb