Policia në Gjirokastër ka shkatërruar një grup, që merrej me trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas uniformave blu, këto persona vepronin si një grup dhe shisnin kokainë e kanabis në Gjirokastër, Përmet dhe në Këlcyrë. Droga sigurohej nga dy vëllezër, ndërsa dyshohej se shpërndahej nga tre të tjerë. Policia sekuestroi në total 3.5 kg lëndë narkotike.

“DVP Gjirokastër/Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “One by one”.

Të organizuar si grup siguronin lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe i shitnin në doza, në Gjirokastër, Përmet dhe në Këlcyrë, vihen në pranga 5 shtetas.

2 prej tyre (vëllezër) posedonin në banesë, 3.5 kg lëndë narkotike cannabis sativa, ndërsa 3 të tjerët u kapën në flagrancë me doza të lëndëve narkotike dhe me shuma parash të fituara nga shitja e tyre.

Sekuestrohen doza të lëndëve kokainë dhe cannabis sativa, rreth 3.5 kg cannabis sativa, 37 900 lekë dhe 2 automjete.

Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryer për disa javë, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për implikimin e disa shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Përmet dhe me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, finalizoi operacionin policor të koduar “One by one”.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: Klajdi Çepani, 24 vjeç, Meleq Xhakollari., 28 vjeç, Donald Nanushi, 35 vjeç, të tre banues në Këlcyrë, Klement Kapo, 33 vjeç dhe Ferdinand Kapo, 40 vjeç (vëllezër), të dy banues në Gjirokastër.

Nga hetimet ka rezultuar se këta 5 shtetas, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, në Gjirokastër, Përmet dhe në Këlcyrë. Lëndët narkotike siguroheshin kryesisht nga shtetasit K. K. dhe F. K. (vëllezër), të cilëve nga kontrolli në banesë, iu gjetën rreth 3.5 kilogramë cannabis. Ndërkaq, 3 të arrestuarit e tjerë u kapën në flagrancë me doza kokaine dhe kanabisi, si dhe me shumë parash, të përfituara nga shitja e dozave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb