Ishte minuta e 47-të e ndeshjes Partizani-Tirana, kur në “Elbasan Arena” u shpalos harta e Kosovës. Kjo ndodhi gjatë derbit të madh të kryeqytetit që për herë të parë në histori luhej jashtë Tiranës, por që gjithsesi nuk i pengoi tifozët e Partizanit, që t’u kundërpërgjigjeshin tifozëve serbë të Crvena Zvezdës, që gjatë derbit të Beogradit, shpalosën hartën e Kosovës në mes të flamurit serb.

“Ultras Guerrils”, tifogrupi i organizuar që mbështet Partizanin, kishte krijuar një koreografi të posaçme si kundërpërgjigje. Harta e Kosovës ishte në mes të një flamuri shqiptar, ndërsa poshtë koreos ishte edhe një mesazh i madh “f…k your history teacher”, që sulmonte pikërisht qëndrimet e nacionalistëve serbë që e trajtojnë Kosovën si pjesë të tyren. Nën thirrjet “Kosova është Shqipëri” apo “Shqipëri Etnike”, flamuri qëndroi një minutë në duart e “Guerrils”, për t’u larguar më pas nën duartrokitjet e pjesës tjetër të tifozerisë kuqe.

Por ky reagim vjen dhe si një sinjal i fortë në lidhje me një nga temat me të nxehta të dy muajve të fundit. Anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA natyrisht që nxiti një debat të madh, ndërsa mjaft tifozë u përçanë rreth argumentit në fjalë. Por mjaft tifozeri të organizuara edhe në Kosovë mbajtën qëndrimin “Një Komb, një Kombëtare”, qëndrim që u mbështet masivisht dhe gjatë derbit të fundit të kryeqytetit.
(J.Selimi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb