Arkëmorti me trupin e pajetë të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastasi ka mbërritur në Tiranë kur ora shënonte 15.50 minuta.

Besimtarët janë mbledhur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për homazhe në nderim të kreut të Kishës Ortodokse, i ndarë nga jeta në spitalin “Evangelismos” në Athinë, mëngjesin e së shtunës.

Kambanat e vajit vijuan të binin gjatë gjithë kortezhit ndërsa besimtarët e shumtë e pritën arkëmortin me lule dhe degë dafine të cilat simbolizojnë paqen dhe mirësinë.

***

Homazhet në nderim të Kryepeshkopit Anastas do të zgjasin 2 ditë.

Në homazhe do të marrë pjesë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i shoqëruar nga 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.

Pjesëmarrëse do të jenë të gjitha mitropolitë e vendit, përfaqësues nga ambasadat e huaja në vendin tonë, delegacion nga Vatikani, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, Patriarku i Izraelit, i Aleksandrisë dhe i Qipros si dhe përfaqësues nga nivelet e larta nga Kishat e Krishtera në mbarë botën.

Arkëmotri me trupin e pajetë të Kryepeshkopit Anastas mbërriti në tokën shqiptare mëngjesin e kësaj të marte përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës. Pasi aty u zhvillua një ceremoni nderimi, arkivoli iu drejtua Gjirokastrës ku u kryen homazhe në Kishten Ortodokse me pjesëmarrjen e dhjetëra besimtarëve.

Ceremonia mortore dhe përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e enjte, 30 janar, prej orës 11.00.

Në nderim të Anastasit u shpallën 5 ditë zie kishtare. Ndërsa në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh mitropoliti i Korçës, Imzot Joani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb