KAVAJË
Ky është vendi ku ndodhi sherri e më pas vrasja në Kavajë. Në pamjet e siguruara për “BalkanWeb” duken shenjat e dhunës në apartamentin ku jetonte vajza dhe më pas ish-partneri i saj hyri për t’u konfliktuar pasi nuk pranonte ndarjen. Dera e apartamentit është e dëmtuar dhe e çarë.
Brava e derës është e thyer dhe e dëmtuar, çka tregon për një hyrje të dhunshme por nuk dihet nëse ka qenë viktima, ish- i dashuri i vajzës Dritan Haxholli ai që ka hyrë me forcë apo persona të tjerë.
Që prej apartamentit deri poshtë është krijuar një vazhdë gjaku, me sa duket nga transportimi i viktimës dhe policit të burgut Bledar Toci që ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:40 pas mesnate në lagjen nr. 2 të qytetit të Kavajës, ku Haxholli kishte shkuar në banesën e ish-partneres së tij, të cilën sipas dëshmive të para nuk e linte të qetë prej kohësh. Polici Bledar Toci që është plagosur nga Haxholli i ka dalë në mbrojtje vajzës dhe dyshohet se ka qëlluar për vetëmbrojtje Haxhollin, duke e lënë të vrarë.
Pritet dëshmia e vajzës dhe policit për të zbardhur të plotë gjithë çfarë ka ndodhur.
(m.k/BalkanWeb)