SHIJAK

Një 40-vjeçar, i cili po qarkullonte me armë zjarri dhe që rezulton i dënuar me 15 vite burg për vrasje ka përfunduar në pranga të policës së Shijakut. Policia thotë se shtetasi i arrestuar me iniciale G. B, është përfshirë në një vrasje në vitin 1997.

Pas informacioneve të marra në rrugë operative, policia ka ndërhyrë për të kontrolluar mjetin e të arrestuarit, ndërsa ky i fundit ka tentuar të largohet me vrap për t’i shpëtuar kontrollit, por kjo tentativë rezultoi e kotë për 40-vjeçarin, i cili sipas policisë konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor “Magnum 2”. Kapet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë me 15 vite burg për vrasje. Në pranga 40-vjeçari, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Durrës, në vijim të punës së tyre për rritjen e parametrave të sigurisë së komunitetit në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas, i cili qarkullonte me një automjet mbante armë zjarri me vete kanë organizuar menjëherë punën duke finalizuar me sukses operacionin e koduar “Magnum 2”.

Në kuadër të operacionit, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e personit, u ngritën pika kontrolli grackë dhe u bë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin lëvizte personi i dyshuar. Në momentin që Policia ka ndërhyrë për të ndaluar ndaluar automjetin, 40-vjeçari G. B., banues në Shijak ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap duke hedhur edhe armën e zjarrit në tokë, por është kapur dhe prangosur në flagrancë nga shërbimet e policisë, të cilat kishin ngritur perimetër sigurie për të mos lejuar largimin e tij.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve  dhe municioneve luftarake’’ dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, si dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me 13 fishekë luftarakë dhe automjeti tip Benz.

Shtetasi G. B. është person me rrezikshmëri të lartë, me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe ka qenë i dënuar më parë me 15 vite burg për veprën penale “Vrasja me dashje”, ngjarje e ndodhur në vitin 1997. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: