Historia që përloti shqiptarët është mbyllur me një kapitull të lumtur. Familja në Gramsh tashmë ka banesën e tyre të dhuruar me shumë dashuri dhe humanizëm nga shqiptarët. Ishin pikërisht mijëra mesazhe në adresë të emisionit që u sensibilizuan pas thirrjeve për ndihmë të familjes.

Kemi sjellë në mënyrë kronologjike gjithë historinë e Hasanit, Sidorelës dhe Aishës. Po si ra emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” ra në gjurmët e familjes në Gramsh, po surprizat që i’u bënë familjes? Ishte një jave e mbushur me emocione të forta, të gjithë shikuesit donin të dinin më tepër për fatin e kësaj familje të harruar në honet e harresës derisa emisioni “Sqhiptarët për shqiptarët” trokiti në derën e tyre.

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” mori rrugën drejt Gramshit pak javë më parë. Problemet e varfërisë, dramat familjare janë të shumta në këtë qytet, por ne zbuluam njërën prej tyre. Hallet e Hasanit dhe familjes së tij që prej 11 vjetësh nuk kishin gjetur dot zgjidhje.

Në një dhomë të vogël në kushte që shkonin përtej cdo imagjinate, jetonin dy motra, ngujuar në krevate të shtrembëruar nga pesha e sëmundjes dhe varfërisë ekstreme. Aisha eshte 27 vjec dhe Sidorela 24 vjeç. Pas motrës së madhe edhe e dyta lindi për të mos ecur dot kurrë me këmbët e saj. Motrat vuajnë nga deformimi në shtyllën dhe palcën kurrizore shënjoi fatkeqësinë e tyre. E si të mos mjaftonte kjo, nëna e tyre ka probleme të mëdha me dëgjimin, aq sa e ka pothuajse të pamundur t’i degjoi dhe ti përgjigjet kërkesave të vajzave që nuk ngrihen dot vetë as për një gotë ujë. Në një dhomë ku ishin goxhduar në krevatet e tyremotrat kanë mësuar të shkruajë krej në mënyrë autodidakte, duke parë shkronjat në televizor e duke u praktikuar me letrat që i dërgojnë njëra tjetrës.

Dhoma është gjithë bota e tyre. Hasani është , babai hero i dy vajzave të tij. Ditët për të gdhihen e ngrysen vetëm për një qëllim: t’u shërbejë për gjithçka e me gjithçka, Aishës dhe Sidorelës. Hasani dilte çdo ditë nga shtëpia me shpresën për të siguruar sadopak para. E vetmja punë që mund të bëjë është të shesë në rrugë çingërrimat, që pothuaj s’i japin asgjë.Detyrohet shpeshherë të marrë para borxh, vetëm që t’jua plotësojë dëshirat vajzave të tij.

Hasani ka një merak një meraku të madh. Ai dëshiron që të ketë një banesë në pronësi të tij. Ai vetë ka një sëmundje të rëndë, që mund t’i marrë ndonjë ditë edhe jetën.

Gjatë emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” Sidorela rrëfeu një dëshirë personale; ajo ka një idhull. Do donte ta shihte njëherë nga afër kantautorin Alban Skenderaj. Muzika e tij i qetëson dhimbjet e turpit dhe të shpirtit. Sidorela shprehet se këngët e Albanit e frymëzojnë dhe ajo humbet në tingujt e zërit të tij kur e dëgjon.

Duke ditur se dy motrat janë të lidhura me teknologjine pasi është dritarja e vetme me botë, këngëtari Sidrit Bejleri u dhuroi Ipad vajzave. Por surpriza nuk përfundoi këtu. Në momentin kur Sidorela do dëgjontë në Ipad këngët e Albanit dera hapet. Shfaqet Alban Skënderaj. Ajo nuk e sheh, por i dëgjoi zërin dhe e njohu. Sidorela nuk përmban dot emocionet. Një ëndërr u bë realitet. Një përqafim nga idhulli i saj, zëri i cilit i shëron shpirtin dhe dhimjet fizike. Së bashku me Albanin flasin për muzikën e tij, vecanërisht për tekstet domethënëse. Sidorela ka fituar një mik të ri. Albani i thotë se sa herë ndihet e vetmuar të mos ngurrojë t’i telefonojë. Momenti më i bukur është kur këndojnë të dy këngën e preferuar të Sidorelës “Dhurata”.

Historia që përloti shqiptarët vijoi me një surprizë të madhe e të shumë dëshiruar. Pasi kreu gjithë procedurat për t’i kaluar në pronësi shtëpinë ku jetojnë prej disa vitesh, Elvis Naçi shkoi në familjen e Hasanit. Në një letër që lexoi Sidorela njoftohej se shtëpia tashmë është pronë e tyre. Ëndrra e madhe e vajzave u bë realitet. Të papërshkrueshme janë emocionet e vajzave dhe babait të tyre për lajmin e mirë që morën.

Aisha vajza e sëmurë që nuk është ngritur kurrë në këmbë më parë me emocioneve shprehet pas këtij lajmi: Mu duk sikur u ngrita në këmbë! Brenda një jave në këtë shtëpi ndodhën shumë mrekullira. Për vajzat ka edhe një lajm tjetër të mirë. Motrat Pëllumbi do të shijojnë më në fund edhe lirinë. Ato mund t’i lënë përkohësisht shtretërit ku janë gozhduar prej vitesh. Sidorelës iu sigurua një karrocë lëvizese ndërsa Aishës nje shtrat i specializuar për gjendjen e saj shëndetësore. Po ashtu Hasani i cili ishte operuar pasi ka tumor në mushkëri do t’i nenshtrohet kontrolleve të detajuara mjekesore, ndërsa falë zemërgjerësisë së shqiptarëve nuk do detyrohet të dalë e të shesë në rrugë. Për të është siguruar një pagë e mirë mujore, me qëllim që të jetë gjithmonë pranë vajzave. Pagesa është siguruar nga emigrantët shqiptarë nëpër Europë.

Edhe bashkëshorta e tij me probleme në dëgjim do të trajtohet. Mes shqiptareve që dëshirojnë të ndihmojnë, është edhe nje mesues nga Bulqiza, i cili në një mesazh drejtuar Elvis Naçit shkruante se në pamundësi për të ndihmuar financiarisht, ishte gati të shiste gjakun e tij dhe paratë t’i dhuroheshin Hasanit, Sidorelës dhe Aishes. Elvis Naçi sërish mori rrugën për t’i dorëzuar babait më të famshëm në Shqipëri, Hasanit çertifikatën e pronësisë. Tani kam shtepine time jam i lumtur dhe i qetë tha Hasani teksa falenderoi të gjithë shqiptarët që e ndihmuan duke kontribuar në blerjen e shtëpisë. Ndersa Sidorela shijoi rrezet e Diellit duke lëvizur me karrigen e siguruar enkas për të. Vajza duket tepër e lumtur teksa shëtit dhe takon fqinjët dhe gjithë bashkëqytetasit e saj të cilët e kanë parë hsitorinë e familjes së saj në News 24. Sidorela dhe Aishja janë bërë tashmë mikeshat e mia, tha Bejleri në studio.

Ndërsa Naçi tha se Hasani po kryen të gjitha kontrollet shëndetësore analizat dhe po kujdeset për shëndetin teksa shtoi se i gjenden shumë pranë shpirtërisht familjes së tij.

(Subscribe (Regjistrohuni) në kanalin tonë për t’u bërë pjesë e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”, e këtij misioni të madh humanitar
https://www.youtube.com/channel/UCfhgpEEGFj0eNQx_BKaWNiw )

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: