Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kandidon në listën e hapur të koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore për Qarkun e Tiranës, ka dërguar një mesazh zanor për mbështetësit e tij nga qelia. Në këtë mesazh, Meta e cilëson zgjedhjet e 11 Majit si momentin vendimtar për përmbysjen e “kryetarokracisë” dhe rikthimin e demokracisë funksionale në vend.
Meta theksoi se Partia e Lirisë ka hyrë në këtë garë jo për të siguruar mandate individuale, por për të garantuar një fitore të madhe për opozitën, duke synuar një rezultat historik, veçanërisht në Tiranë. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të imponuara nga kryeministri Edi Rama, kanë dëmtuar rëndë parlamentarizmin dhe llogaridhënien, ndaj objektivi kryesor i koalicionit është zhdukja e listave të mbyllura dhe rikthimi i pushtetit te qytetarët.
“Partia e Lirisë nuk ka hyrë në këtë koalicion për të marrë disa mandate, por për të siguruar një fitore të padiskutueshme. Ne synojmë mbi 50 mijë vota në Tiranë, për të garantuar fitoren e opozitës dhe kthimin e demokracisë.” – u shpreh Meta në mesazhin e tij.
Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për listat e hapura, duke e cilësuar këtë si një hap jetik për t’i rikthyer qytetarëve të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre të vërtetë në Kuvend.
Në fund të mesazhit, Meta bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm, duke e cilësuar 11 Majin si një referendum kundër listave të mbyllura dhe kundër regjimit aktual. Ai theksoi se shqiptarët duhet të angazhohen për të sjellë një ndryshim të vërtetë politik, duke përmbysur sistemin që, sipas tij, ka dëmtuar rëndë demokracinë në vend.