Një banesë u përfshi nga flakët pasditen e të shtunës në fshatin Mesul të Pukës. Banesa e shtetasit Ardian Keci i cili ndodhej për kurim në QSUT, është djegur në pak minuta, pas rënies së zjarrit. Familjarët janë gjetur në mënyrë të beftë para zjarrit dhe tymit të pamundur për të bërë diçka.

“Ishim duke ngrënë bukë dhe kemi parë zjarrin në tavan që kishte rënë, nuk e dimë nga erdhi. I kam marrë mamin, nënë dajën dhe i kam nxjerrë jashtë. Na janë djegur televizori, dushi, raftet, kolltuqet, frigoriferi, lavatriçja”, thotë Geraldo Keci, djali i familjes.

Shërbimi zjarrfikës e kishte të pamundur ndërhyrjen për shkak të mungesës së rrugës automobilistike.

Pranë banesës së përfshirë nga flakët mbërritën edhe përfaqësues të Bashkisë së Pukës të cilët ndër të tjera apeluan për ndihmë ndaj familjes.

“Dëmet janë të konsiderueshme. E gjithë banesa është jashtë funksionit pasi është e dëmtuar totalisht nga zjarri me të gjitha orenditë dhe pajisjet brenda. Fatmirësisht nuk kemi dëme në njerëz dhe kjo është fat, për pjesën tjetër na duhet i gjithë angazhimi i strukturave vendore, i shtetit, drejtorive përkatëse për t’i ardhur në ndihmë kësaj familje. Po ashtu i apeloj biznesit pukjan dhe kush ka mundësi ta ndihmojë në mënyrë që kjo familje ta kalojë sa më shpejt këtë situatë“, u shpreh Ferit Ringaj, nënkryetar i Bashkisë së Pukës.

Shkak për flakët mendohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike. Nga pasuria e familjes Keci në fshatin e thellë nuk ka mbetur asgjë, ndërkohë që familja 5 anëtarëshe mbetet në qiell të hapur pa shpresë për një zgjidhje të shpejtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb