TIRANE- I ftuar në ceremoninë e diplomimit të mjeshtrave të rinj të kuzhinës ambasadori amerikan Donald Lu ka zbuluar se në rininë e tij ka gatuar bukë dhe ëmbëlsira një eksperiencë për të e mrekullueshme.

Dhe meqë flitej për gatimin shumëkush mendoi se ambasadori do të përmendte edhe peshqit, jo ata për gatim por peshqit e mëdhenj që duhej të kishin rënë në rrjetën e drejtësisë brenda muajit janar.

Në vend të fjalëve Lu është përgjigjur me një buzëqeshje pyetjes së gazetarit të News 24 Erjon Skëndaj rreth temës së peshqve të mëdhenj.

Projekti 2 vjeçar “People first” ku ishte i ftuar ambasadori amerikan është një iniciativë që mbështetet nga USAID dhe Ambasada e Suedisë në Shqipëri.

Projekti synon të orientojë të rinjtë shqiptarë drejt sektorit të hoteleri turizëm duke u dhënë mundësinë së pari të trajnohen dhe më pas të gjejnë një punë në profesione si kamarier, recepsionist, kuzhinier, a menaxher hotelesh. Nga ky projekt përfitojnë 2000 të rinj shqiptarë që kanë ndjekur arsimin profesional.

Aktiviteti është përshëndetur edhe nga ministrat Ahmetaj dhe Nikolla.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb