Juventus nuk është as i bukur e as dominues por mbetet një ekip fitues në Serie A, këtë e konfirmuan sërish kundër Breshias duke siguruar një tjetër fitore me përmbysje. E gjithë vëmendja ishte e përqendruar te debutimi i “djalit problematik”, Mario Balotelli, por ishte Donnarumma ai i cili befasoi “Zonjën e Vjetër” duke kaluar Breshian në avantazh që në minutën e 4-ët. Pa Ronaldon në fushë, Sarri kishte rreshtuar ekipin me skemën 4-3-1-2 ku Ramsey bëri trekuartistin pas dyshes Dybala-Higuain por ai që rikthehu baraspeshën ishte Chancellor me një autogol. Njeri i ndeshjes ishte Miralem Pjanic, lider absolut i mesfushës së Juves, një lojtarë me shumë klas që zhvilloi një ndeshje perfekte, jo vetëm kishte kontrollin e plotë në mesfushë por realizoi dhe golin 3-pikësh për Juven në minutën e 63-të. Një fitore që dhe për Sarrin nuk ishte aspak e lehtë:

“Nuk ishte e lehtë, mbi të gjithë në një ndeshje kur e gjen veten në dizavantazh që në minutën e 4-ët, kundër një skuadre të gjallë dhe në një ambient entuziast. Pash një skuadër me personalitet dhe me kontroll të mirë të topit. Dybala? Zhvilloi një ndeshje të mirë si në aspektin sulmues ashtu dhe mbrojtës, e pashë shumë të angazhuar, shpresoj ta rikuperojmë për ndeshjen e radhës. De Ligt? Po rritet, duhet durim. Është një djalë i ri që vjen nga një ambient i ndryshëm, nga një realitet tjetër. Është një fenomen por i duhet kohë të përshtatet me Italinë”. Në fund Sarri u ndal dhe te mungesa e Ronaldos: “Duhet të jemi gati për të dy situatat edhe kur mungon Ronaldo. Kemi probleme me krahët e sulmit kemi gjithashtu dhe shumë mesfushë ofensiv por duhet të gjejmë zgjidhje me lojtarët që kemi në dispozicion”, u shpreh Sarri në konferencë për shtyp.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb