Kampionët e Italisë kanë kaluar me lehtësi kundërshtarin e radhës, teksa sot pasdite kanë mposhtur në Torino skuadrën e Spal-it, ku militon dhe portieri i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha. Madje duhet thënë se gardiani shqiptar ka bërë një paraqitje të shkëlqyer, duke bërë pritje pa fund, të cilat kanë shmangur goleadën për ekipin nga Ferrara.

Por Berisha nuk kishte se çfarë të bënte në gjuajtjen e mrekullueshme të Miralem Pjaniçit me boshjakun që kalibron një të djathtë të pakapshme nga distanca, duke i dhënë kryesimin Juventusit në minutën e 45-të, ndërsa në të 78-ën ishte Kristiano Ronaldo që arriti ta kalojë murin Berisha, që deri në ato momente i kishte mohuar çdo tentativë asit portugez.

Një tjetër duel mes tyre dhe në kohën shtesë, kur Ronaldo provon në gjysmëkthesë, por sërish Berisha kryen një tjetër mrekulli ndaj tij, duke minimizuar dëmet në humbjen e merituar të ekipit të tij. Me këtë sukses Juventusi ngjitet përkohësisht në krye të Serisë A në kuotën e 16 pikëve, në pritje të sfidës Sampdoria-Inter, e cila do të nisë në orën 18:00.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb