Kampionët e Italisë kalojnë me sukses një nga transfertat më të vështira të sezonit, teksa kanë arritur të fitojnë 3-1 në Bergamo kundër Atalantës në një sfidë që pa të zotët e shtëpisë të dominojnë deri në momentin kur Higuain vendos të bëjë gjithçka me dy gola dhe një asist për Dibalën, që shënuan dhe fitoren e torinezëve.

Atalanta është e shkëlqyer në fushë, sulmon parreshtur dhe presing të lartë duke asfiksuar manovrat e Juventusit. Në minutën e 18-të gjyqtari akordon një penallti për zikaltërit, të cilën Barrou e stampon në traversën e Sheznit. Në pjesën e dytë vendësit konkretizojnë dominimin e tyre me golin Gosens, që i pamarkuar në shtyllën e dytë shënon me kokë.

Juventusi, në mungesë të Aleks Sandros, i zhvendos aksionet nga krahu i Kuadrados dhe pikërisht kolumbiani është arkitekti i dy pasimeve për Higuanin në minutën e 74-ën dhe 82-të. Barazimi vjen me “përdhunë” pas këmbënguljes së argjentinasit që gjen golin dhe me devijimin e mbrojtjes, ndërsa pasimi i dytë është një asist perfekt në qendër për “El Pipitan” që thyen Golinin.

Atalanta tronditet, po mundet në një ndeshje ku meritonte të paktën barazimin dhe hidhet në sulm duke bërë atë që që nuk kishte bërë deri në ato çaste, të linte hapësira mbrapa. Higuain jep një pasim të saktë për Dibalën, që lë në vend Gjimshitin dhe thyen Golinin në shtyllën e tij për suksesin 3-1 të kampionëve në fuqi, që shkëputen përkohësisht në 4 pikë nga Interi i vendit të dytë në pritje të përballjes së skuadrës së Kontes me Torinon sot në mbrëmje.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb