Altin Dumani, kreu i SPAK, është në mesin e personave që janë nderuar si “kampionë të luftës anti-korrupsion”. Dumanit ia dorëzoi titullin Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, në një ceremoni të veçantë.

Në ceremoninë e zhvilluar në Departamentin amerikan të Shtetit janë nderuar me këtë çmim 10 kampionëve të luftës antikorrupsion në mbarë Botën, mes të cilëve edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.

“Altin Dumani ka goditur politikanë të lartë edhe grupe të rëndësishme kriminale. Duke bërë një punë të jashtëzakonshme dhe është një nga njerëzit dhe institucioni më i besueshëm në Shqipëri”, është motivacioni që u shpall nga DASH, në raport me kreun e SPAK, përsa i takon vlerësimit si ‘kampion i luftës anti-Korrupsion’.

 

Kreu i SPAK është zyrtari i dytë i lartë që nderohet me një çmim të tillë nga Shqipëria. I pari që u nderua me këtë çmim ishte Ardian Dvorani, në atë kohë kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Dumani prej dy vitesh drejton Prokurorinë Speciale, ndërsa mandati i tij si drejtues zgjat 3 vjet. Dumani i përket grupit të prokurorëve që iu bashkuan SPAK që nga momenti i krijimit, ndërsa drejtuesi i parë i Prokurorisë Speciale ishte Arben Kraja.

Gjatë ceremonisë, Sekretari amerikan i Shtetit tha se “sot vlerësojmë 10 individë të rëndësishëm që kanë bërë luftë të jashtëzakonshme kundër korrupsionit dhe ti mbështesim ata”.

“Në e dimë që në momentin që qeveritarët bëjnë korrupsion, qytetarët humbin besimin te qeveria. Kjo krijon edhe kushte për kriminelët dhe terroristët që të jenë më aktivë. Ndaj ne kemi dhënë mbështetje të jashtëzakonshme për të trajnuar për të dhënë ndihmë për këto vende që kanë probleme”, tha Blinken.

Në vijim, Sekretari amerikan i Shtetit, duke sjellë në vëmendje luftën kundër korrupsionit tha se kjo është arsyeja sepse janë vendosur sanksionet ‘non grata’ ndaj atyre që kanë bërë korrupsion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb