River Durra dhe Anisa Jani janë çift në jetë e skenë. Ata janë dy balerinë që prej vitesh kërcejnë nën ritmet e muzikës latine. Çifti i talentuar ka rrëfyer për Trending, se shqiptarët i duan ritmet latine pasi janë të ngjashme me ritmet tona tradicionale.



“Ritmet latine janë pjesë e gjakut, kanë lidhje me kërcimet tona tradicionale”, tregon Riveri, i cili u gjend rastësisht në “botën latine”.


Para mikrofonit të Trending, ata flasin edhe për historinë e tyre të dashurisë. Në mes ishte kërcimi latin. “Shikoj Anisën që kishte veshur një fustan të kuq dhe teksa rrotullohej tërhiqte vëmendjen e të gjithë meshkujve. Herën e parë nuk e ftova në kërcim se kisha frikë”, thotë Riveri.

Hapi i radhës i takonte Anisës. Ajo vijon: “Në fillim nuk kërcente mirë. Riveri eci me ritme marramendëse, kur erdhi për herë të dytë e të tretë kishte bërë hapa marramendës. Ma prishi mendjen me kërcim”.

Çifti simpatik që i tejkalojnë zënkat me kërcim, shprehen se në ndryshim nga shumë të rinj shqiptarë nuk kanë ndërmend të largohen nga vendi.

“Ne mendojmë se shqiptarët dhe Shqipëria kanë nvojë për ne. Shqipëria ka ende hapësira boshe për të sjellë gjëra të reja”, shprehen ata, duke shtuar: “Mesazhi ynë është: ‘bëni atë që dashuroni dhe pastaj mos harroni të dashuroni përsësri atë që bëtë”.