Nga DORJANA BEZAT
TIRANË- “Jam me fat që jam gjallë”. Kështu thotë mes lotësh në një rrëfim për “News24” e “BalkanWeb” solisti i teatrit të Operës në Tiranë, tenori Ylber Gjini, i cili rreth orës 03:00 të së hënës ra pre e një grabitjeje me armë.

Ylber Gjini
I përlotur Gjini tregon se makinën e blerë me kredi dy muaj më parë e kishte parkuar poshtë ballkonit të banesës së tij në zonën e Yzberishtit, ku 3 autorë të maskuar dhe të armatosur pasi i thyen njërin xham ia grabitën. I biri kishte ndjerë zhurmat dhe e ka njoftuar. Të dy kanë dalë në ballkon, por autorët i kishin kërcënuar me armë.

“Në orën 2:54 dëgjoj zërin e çunit që po bërtiste në ballkon. Kur dal unë, i fundit që hipi në makinë nga të tre kriminelët me maska, me kobure, me pistoletë në dorë
u fut në makinë”, thotë tenori.

Menjëherë pas kësaj skene Ylber Gjini ka njoftuar policinë. Forcat e komisariatit nr. 6 që patrullonin në zonë janë vënë në ndjekje, por gjurmët e grabitësve humbën në Mëzez.
grabitet tenori

Kjo nuk është hera e parë që artisti bie pre e grabitësve ai tregon se i kanë grabitur më herët biçikletën, motorin dhe një bar kafe që administron.

“Tani i bie që të punoj 10 vjet për ta shlyer makinën se e kam marrë kredinë për 10 vjet. I bie të punoj 10 vjet për hajdutin. Më kanë vjedhur tre herë. I bie që gjithë jeta të punosh për hajdutët, për kriminelët”, thotë Gjini.

Zona ku ka ndodhur ngjarja është e pa ndriçuar dhe pa kamera sigurie. Kjo i ka favorizuar grabitësit që të largohen pa lënë gjurmë. Në këto kushte artisti Ylber Gjini i bën apel shtetit që të sigurojë familjen e tij dhe të jetë e pranishme në zonën ku ai jeton.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: