VLORË

Policia e Vlorës në bashkëpunim me atë të Elbasanit ka vënë në pranga një 42-vjeçar nga Tirana, i cili rezultonte i shpallur në kërkim.

Sipas policisë, shtetasi me iniciale A. S.nga Tirana dyshohet se është autori që ka kryer dy shpërthime me eksploziv në qytetin e Elbasanit dy vite më parë.

“Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksplozivi”.Operacioni nga DVP Vlorë në bashkëpunim me DVP Elbasan. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim, si i dyshuar për ngjarje me eksploziv, të ndodhura  në vitin 2017 në Elbasan.

Në vijim të punës intensive për kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit, bazuar në informacione në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Eksplozivi”, në rrugën “Janaq Kilica”, kanë  bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim A. S., 42 vjeç, banues në Tiranë.

42 vjeçari ka qenë i shpallur në kërkim, pasi në maj të vitit 2017 në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se kanë vendosur eksploziv poshtë një automjeti, si dhe në derën e një diskoje në Elbasan. Ndaj këtij shtetasi, i cili kohët e fundit fshihej në Vlorë, Gjykata e Apelit Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme”-njoftton policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: