Pas debateve të shumta e pritjeve pafund për nisjen e zbatimit të planit të marrëveshjes së refugjatëve mes Shqipërisë dhe Italisë, nuk mund të mungonte edhe një episod i veçantë.

Dy nga 16 emigrantët me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët i janë nënshtruar më parë edhe kontrollit në det të hapur u verifikuan pas mbërritjes në Shëngjin se ishin minorenë, duke detyruar autoritetet t’i kthejnë pas.

Ndërkohë, sipas raportimit të gazetarit Elidon Ndreka 14 emigrantët e tjerë nga grupi i parë që u soll në Shëngjin do të dërgohen në kampin e Gjadrit për t’u procesuar.

Për kthimin e dy minorenëve në territorin italian është angazhuar një mjet detar i Guardia di Finanza, pasi anija “Libra” e marinës italiane u kthye pas me lënien e emigrantëve të parë në Shëngjin.

Në këtë mënyrë janë shtuar edhe kostot e transportit për 16 emigrantët e parë që mbërritën në Shqipëri nga kampi i Lampedusas.

Sipas marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe atij italian në kampet në Shqipëri do të mbahen vetëm emigrantët meshkuj, ndërsa gratë dhe minorenët do të procedohen në qendrat e refugjatëve në Itali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb