TIRANË

Ish-kryetari i PD-së në Elbasan, Aurel Bylykbashi është shoqëruar në Polici në lidhje me deklaratën e një dite më parë ku tha se nëse demokracia ka nevojë për trupat e shqiptarëve, ai së bashku me mbështetësit e selisë blu dhe qytetarët do të jetë gati në çdo kohë për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit. Ai tha se të dielën mund të këtë edhe përplasje civile, ndërsa theksoi se PD-ja është e gatshme të përballet me “dhunuesit” e demokracisë.

Ish-kryedemokrati i PD-së në Elbasan theksoi se misioni i “Aleancës Qytetare” synon mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri në 61 bashkitë e vendit. Mes tjerash Bylykbashi iu bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit që të mblidhen të gjithë në Bradashesh për të penguar takimin elektoral të kryeministrit, Edi Rama.

“Në rast se do të kishim zgjedhje, aleanca jonë politike, por jo vetëm aleanca politike, por aleanca jonë politike bashkë me qytetarët fiton zgjedhjet. Kjo i ka bërë këta që të hyjnë në këtë rrugë të gabuar dhe po e çojnë vendin në vëllavrasje. Kjo aleancë që krijohet në Elbasan, ka një mision të qartë dhe të prerë: Demokracia shqiptare është në rrezik. Ky vend ka rrezikuar shumë për demokracinë. Ne jemi sot këtu  jemi për të mbrojtur atë që fituan në 1990. Kjo aleancë e krijuar sot duhet të këtë një axhendë të qartë. Ne kemi dy evenimente këtë javë.

Është data 26 kur kryeministri Rama do të jetë në Elbasan për të bërë takimin elektoral të radhës. Duhet të jemi të gjithë në Bradashesh dhe t’i themi më qartë se kurrë se ky qytet nuk të do, ky qytete nuk të do dhe nuk ka burrë që mund të na kthejë nga kjo rrugë. Jemi më të qartë se kurrë. Nga ana tjetër vjen data 30. Ka shumë zëra që thonë se do të këtë luftë civile dhe vëllavrasje. Ne nuk do të lejojmë zgjedhje në 30  qershor. Ka vëllavrasje, ka luftë civile? Le të këtë… Patjetër që le të këtë! Sepse ne nuk kthehemi mbrapsht dhe nuk do të bëjmë gabimet që bënë gjyshërit tanë në ’44. Ne qoftë  se demokracia rrëzohet dhe liria rrezikohet në këtë vend dhe do trupat tanë për ta mbrojtur, jemi gati. Ky është mesazhi që duhet të përcjellë kjo aleancë sot”-theksoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb