Liverpool nuk ndalet dhe afrohet më shumë me titullin kampion në Premier League. Skuadra e Jurgen Klopp kaloi me lehtësi derbin kundër Everton, duke mundur 5-2 rivalët e përjetshëm të qytetit. Asnjë problem për “Reds” që iu mjaftoi një pjesë loje për të vrarë garën. Vetëm gjashtë minuta lojë dhe Origi ndezi atmosferën në “Anfield Road”. I shpejtë edhe goli i dytë I vendasve në minutën 17-të, që mban firmën e Xherdan Shaqirit I kthyer si titullar.

Miqtë rihapën sfidën me Kean në të 21-ën, por shpresat e tyre për të dalë me pikë u shuan pëpara pushimit. Origi shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Liverpool, ndërsa në limitet e pjesës së parë, Mane plotësoi “pokerin” e të zotëve të shtëpisë. Për Everton, Richarlison ngushtoi distancën përpara se skuadrat të ktheheshin në dhomat e zhveshjes. Me rikthimin në fushë, vetëm në fundin e ndeshjes, Vijnaldum vulosi me golin e pestë fitoren e Liverpool që thellon sërish në tetë pikë diferencën me ndjekësit më të afërt të Leicester. “Dhelprat” i shtuan një tjetër fitore sezonit të tyre spektakolar, duke mundur 2-0 Watford.

Sfida u vendos vetëm në pjesën e dytë. Vardy me 11-metërsh kaloi vendasit në epërsi, ndërsa në minutën e pestë shtesë, Madison arshivoi suksesin e skuadrës së tij. I hidhur ishte rikthimi në “Old Trafford” për Jose Mourinho.

Në pankinën e Tottenhan, “Special One” u dorëzua 2-1 përballë Manchester United. Rashford ishte heroi i vendasve. Sulmuesi hapi sfidën me golin e epërsisë që në minutën e gjashtë. Dele Alli barazoi shifrat në pjesën e parë, por me rikthimin në fushë pas pushimit, sërish Rashford goditi saktë nga pika e penalltisë për t’i dhuruar një fitore të rëndësishme “Djajve të Kuq”. Te suksesi është kthyer edhe Chelsea. Pas dy humbjeve radhazi, Blutë e Londrës mundën 2-1 Aston Villa.

Me nga një gol për çdo pjesë, Abraham dhe Mount vendosën fatin e ndeshjes, teksa bënë të pavlefshëm barazimin e përkohshëm të miqve me golin e Trezeguet.
(balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb