Janë mbyllur me rrjeta të paprekura të dyja sfidat e vlefshme për fazën e 1/8-ave që po luhen mbrëmjen e sotme, ndonëse tifozët kanë shijuar emocione të vërteta.

Përballja më e rëndësishme është ajo që u luajt në “Anfield Road” mes Liverpulit dhe Bajernit të Mynihut. Vendësit kanë qenë më kërkues dhe më këmbëngulës në zonën e Nojerit dhe i janë afruar golit në disa momente, ndërsa bavarezët kanë krijuar shanset e tyre në minutat e para të takimit.

Edhe në pjesën e dytë ka vijuar dominimi i të zotëve të shtëpisë, por porta e mbrojtur nga Manuel Nojer ka mbetur e paprekur. Nga ana tjetër shumë pak punë për Alison. Rezultati 0-0 e bën mjaft intriguese sfidën e kthimit në “Allianz Arena”

Në Lion, vendësit e Olimpikut dhe Barcelona po dhurojnë ngjithashtu emocione të mëdha. Olimpiku është shfaqur kërcënues dhe i patrembur përballë emrit të madh të Barcelonës, që nga ana e saj ka shpërdoruar shumë.

Barcelona ka këmbëngulur dhe ka kërkuar që të shënojë golin e fitores edhe në pjesën e dytë, por pavarësisht mundësive të krijuara, nuk do të arrijnë dot ta thyejnë murin e Lionit, që mbron rezultatin 0-0 dhe shkon në “Camp Nou” i vetëdijshëm se ndaj Barçës së fortë, do t’i duhet shumë më shumë se sot.

(j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb