Deputeti Luan Baçi ka deklaruar nga jashtë ambienteve të Burgut të Fierit se Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në krah të Ervin Salianjit. Ky i fundit u dërgua gjatë pasdites në ambientet e vuajtjes së dënimit, pasi më herë u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.
Baçi u shpreh për mediat se kushdo nga deputetët mund të ishte në pozitën aktuale të Salianjit, ndërsa theksoi mbështetjen e strukturave të demokratëve të Fierit për të.
“Në Burgun e Fierit vjen një kolegu im, i dënuar politikisht nga kjo mazhorancë dhe ky kryeministër. Strukturat e degës së PD në Fier do jenë krah tij, solidarë me të. Kushdo nga deputetët mund të ishte në vend të tij, mund të isha edhe unë. Kallëzimi publik i Salianjit është mëse i drejtë. Dënimi i mbetur pezull i vëllait të z.Xhafaj është dëshmi për të. Përveçse ka bërë një denoncim publik, të qartë, të kthjellët. Çfarë mund të themi, që Ervin Salianji është një i dënuar me të drejtë nga drejtësia? Është i dënuar politik. Nuk kam akoma informacione mbi drejtuesit e institucioneve për akomodimin e tij. Rama e vërtetoi që është një ndër autorët e vendimit. Kishte informacione të hollësishme për mënyrën sesi ecte procedura. Do të rri këtu derisa të marr një informacion të plotë dhe të interesohem mbi akomodimin e tij”, shtoi Baçi.
Deputeti demokrat tha më tej se aksioni i vërtetë opozitar do të fillojë në 6 tetor.
Ervin Salianji u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
(BalkanWeb)