TIRANE

Kur e gjithë vëmendja është përqendruar tek verdikti që pritet të japë sot Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, Saimir Tahirit i duhet të presë ende. Teksa ndodhet prej disa orësh tek Krimet e Rënda, gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për ‘BalkanWeb’ pamje nga brenda institucionit ku shihet avokati i Tahirit, përkrahës dhe bashkëpunëtor të tij, po ashtu edhe gazetarë.

Po ashtu Lala raporton se në këto ambiente ndodhet edhe Tahiri, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për 3 vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Kujtojmë se që prej orës 12:30 gjyqtarët Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka janë mbyllur në dhomën e këshillimit prej orësh.

“Zoti Tahiri u largua për pak orë për t’u rikthyer në orën 15:45 dhe nga ai moment ka qëndruar herë brenda sallës dhe herë në ambientet e jashtme të gjykatës në shoqërinë e avokatit të tij Maksim Haxhia por edhe mbështetësve të shumtë që kanë mbërritur në ambientet e kësaj gjykate rreth orës 16:00 kur edhe ishte parashikuar shpallja e këtij vendimi. Një pritje e justifikuar për sa kohë është në lojë jo vetëm jeta e Saimir Tahirit si qytetar i Republikës së Shqipërisë por është në lojë e gjithë karriera politike e Tahirit dhe detyra e tij si ministër i Brendshëm”, raportoi Lala pak më herët në një lidhje direkte për ‘News24’.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: