VLORË

Një i ri është arrestuar nga policia e Vlorës pasi qarkullonte me armë zjarri në qytet. Sipas të dhënave zyrtare kanë qenë qytetarët që kanë njoftuar policinë për një shtetas i cili qarkullonte me armë zjarri me vete në zonën e Ujit të Ftohtë.


Menjëherë janë organizuar shërbimet e policisë, të cilët kanë konstatuar pranë një lokali në Ujin e Ftohtë Vlorë personin e dyshuar, i cili sapo ka parë Policinë ka tentuar të largohet.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje ku kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit E.H., 29 vjeç, banues në Vlorë.



Shtetasi E.H., gjatë tentativës për t’i shpëtuar Policisë, ka hedhur në tokë armën e zjarrin tip pistoletë CZ-P09, me 16 fishekë. 29-vjeçari ka qenë edhe më parë i arrestuar nga Policia për armëmbajtje pa leje në vitin 2012.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia e Vlorës falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin dhe fton cilindo për të denoncuar çdo paligjshmëri duke ju garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

(BalkanWeb)