Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, i cili humbi ndjenjat gjatë protestës së opozitës, në kuadrin e mosbindjes civile, konfirmon se ajo që ndodhi është pasojë e përplasjes me policinë e shtetit.

Gjekmarkaj ndodhej në zonën e Pallatit me Shigjeta, një nga 5 pikat që u bllokuan në Tiranë.

“Jam shtyrë nga policia. Më kanë vënë duart në gjoks dhe kam ngelur pa frymë”, shprehet Gjekmarkaj, teksa komunikon me kreun demokrat Sali Berisha në dhomën e spitalit, ku shkoi për ndihmë të specializuar mjekësore.

Pamjet nga dhoma e spitalit janë siguruar nga gazetari i News24, Osman Stafa.

Ndërkohë kreu i degës së PD-së për Lezhën, Gjin Gjoni, shprehet se ai u rrëzua me kokë. “Ra me kokë, isha pranë tij”, thekson Gjin Gjoni.

Gjekmarkaj në vijim të bashkëbisedimit shprehet se në momentin që është rrëzuar nuk mban mend gjë. E gjithë situata duket se ka ndodhur në momentin që Policia ka ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën nga protestuesit. Policia në deklaratën zyrtare shprehet se nuk ka ushtruar dhunë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb