TIRANE
Në kohën kur Admir Murataj dhe grupi i armatosur zbarkoi në pistën e Rinasit dhe në barkun e një avioni grabitën miliona euro, kosovari Ragip Hajdini ndodhej në një lokal në Spitallë të Durrësit në shoqërinë e disa miqve.
Të paktën kështu rezulton nga pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit, të cilat janë siguruar ekskluzivisht nga ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’.
Sikurse shihet në video, pejani Hajdini, shfaqet në derën e lokalit në orën 14.15 minuta të datës 9 prill. Ai mbërrin aty me një makinë tip Smart, ngjyrë e zezë.
Pasi qëndron disa minuta në këmbë përpara lokalit, Hajdini hyn në ambjentet e brendshme ku i bashkohet një grupi personash, në shoqërinë e të cilëve qëndron për afro 3 orë.
Referuar orës së kameras së sigurisë, Hajdini i la ambjentet e lokalit pasdite vonë.
“Kam miqësi me Aleksandër Muratajn, vëllain e Admirit. Kam qenë dhe në varrimin e Admirit në Tropojë. Por nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. Jam ndodhur lokal me miqtë e mi ditën e ngjarjes”, -iu tha Hajdini hetuesve menjëherë pas arrestimit.
Pas kësaj dëshmie, prokurorët e Krimeve të Rënda, sekuestruan kamerat e sigurisë, të cilat i kanë dërguar për ekspertizë.
Avokati Marash Ndoci, përmes një memoje i ka kërkuar institucionit të akuzës, që krahas sekuestrimit të pamjeve, të marrë dëshmitë e personave që ishin në shoqërinë e 50-vjecarit nga Peja.
Ragip Hajdini, u vu në pranga, pasi dyshohet të jetë i përfshirë në megagrabitjen që ndodhi në pistën e aeroportit mesditën e 9 prillit, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes grupit kriminal dhe policisë, mbeti i vrarë Admir Murataj, një emër i njohur i botës së krimit.
50-vjecari nga Peja u vu në pranga mbi bazën e dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Alkond Bengasi, i cili u rrëfeu hetuesve se Admir Muratajn e kishte parë disa herë në shoqërinë e një shtetasi nga Kosova, të cilin ishte në gjendje ta identifikonte nëse përballej me të.
Hajdini ka kërkuar ballafaqimin me bashkëpunëtorin e drejtësisë, por prokuroria e ka refuzuar, për sa kohë që Alkond Bengasi mban statusin e të mbrojturit.
Kërkesat e tij për lirimin nga burgu, me argumentin se Prokuroria nuk ka asnjë provë që e implikon atë në ngjarje, deri më tani janë rrëzuar nga drejtësia.
Për grabitjen spektakolare në Rinas, janë arrestuar shtatë persona, mes tyre edhe një punonjës i cargos në aeroport, ndërsa në kërkim janë dy vëllezërit Klement dhe Eldi Cala, si dhe Talo Cela.
(BalkanWeb)