Një banesë dy katëshe në Pogradec u shkrumbua nga zjarri mbrëmjen e kësaj të shtune. Gazetarja Lorena Kodra dha detaje për BalkanWeb duke theksuar se një i moshuar që jetonte në banesën e përfshirë nga zjarri është evakuuar nga fqinjët. Shkak për zjarrin dyshohet të ketë qenë një shkëndijë me pikënisje oxhakun e shtëpisë së të moshuarit. Nga aty fjalët janë përhapur në të të gjithë banesën.
3 mjete zjarrfikëse punuan në vendin e ngjarjes duke “luftuar” për rreth 2 orë me flakët. Punonjësit e zjarrfikëses dhe policia bënë evakuimin e banorëve përreth. Momente paniku ishin ato kur flakët rrezikuan një banesë ngjitur me 2-katëshen në zjarr, por fatmirësisht zjarrfikësit shmangën përhapjen e vatrës.
Pogradec/Informacion paraprak
Rreth orës 21:25, në lagjen nr. 4 Pogradec, dyshohet se aksidentalisht ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. B., 80 vjeç. Si pasojë e zjarrit, janë përfshirë dhe banesat ngjtur me banesën që ra fillimisht zjarri.
Shërbimet Policisë dhe zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëhere për evakuimin e banorëve dhe për shuarjen e zjarrit. Nga rënia e zjarrit ka vetëm dëme materiale, ndërsa banorët janë evakuuar të gjithë.
Vijon puna intensive për neutralizimin e përhapjes së zjarrit dhe shuarjen e plotë në banesat e përfshira nga flakët. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për përcaktimin e saktë të shkakut të rënies së zjarrit.
(BalkanWeb)