TIRANË- Policia e Tiranës ka zbuluar një rrjet të vjedhjes dhe trafikimit të automjeteve nga Shqipëria drejt Serbisë. Dy të rinj janë vënë në pranga, një nga Fieri dhe një nga Zagrebi, Kroaci. Po kështu dy shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim. Sot gjatë operacionit për arrestimin e tyre, policia është vënë në ndjekje të makinës ku dyshohet se ndodheshin 2 të dyshuarit, ndërsa një tjetër makinë e policisë por pa shenja dalluese i ka bllokuar rrugë. Menjëherë efektivët e policisë kanë zënë dy dyert e para të mjetit dhe kanë kapur të dyshuarit.

Sipas të dhënave zyrtare, më datë 12.12.2016, Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

1. Safet Rizvani, 22 vjeç, banues në Fier.
2. Denis Dukiç, 30 vjeç, banues në Zagreb, Kroaci.

Janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:

3. F. B. (të dhëna të tjera nuk jepen për arsye hetimi)
4. M. K., 30 vjeç.

Shtetasit e lartë përmendur dyshohen se ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të trafikimit të mjeteve motorrike. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas merrnin mjete me qira në kompani të ndryshme, me qëllim trafikimin e tyre jashtë Republikës së Shqipërisë, në drejtim të shtetit serb, ku më pas i deklaronin të vjedhura.

Safet Rizvani në bashkëpinim me shtetasin Denis Dukiç, dyshohet se më datë 11.12.2016, kanë tentuar të trafikojnë një automjet të tipit “Skoda Superb”, mjet i cili është marrë me qira nga shtetasi Denis Dukiç tek një kompani për dhënien e mjeteve me qira.

Gjithashtu shtetasi Safet Rizvani në bashkëpunim me shtetasin M. K., më datë 26.11.2016, dyshohet të kenë trafikuar drejt shtetit Serb, mjetin tip “Skoda Oktavia”, të marrë me qira tek një kompani për dhënien e mjeteve me qira, mjet të cilin e kanë denoncuar të vjedhur më datë 30.11.2016, në Kumanovë të Maqedonisë.

Kjo veprimtari është organizuar nga shtetasi F. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorrike”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: